DURRES- Vëllai i avokatit Besnik Muça, që prej disa kohësh punonte në Tiranë si avokat i lirë ka denoncuar në policinë e Durrësit zhdukjen e tij që prej mbrëmjes së 2 nëntorit. Policia e Durrësit siç raporton për “BalkanWeb” gazetarja Klodjana Haxhiaj ka nisur hetimet për këtë rast.

Sipas burimeve nga policia e Durrësit, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë “check in” në portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku dhe si mund të jetë zhdukur.

Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari, ashtu siç shkruajnë mediat italiane, ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget.

Nga dëshmia e vëllait të tij, “BalkanWeb” mëson se Bujar Muça kishte dokumente të rregullta qendrimi në Itali ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa kohët e fundit ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë. Për të ndarë më shumë kohë më familjen ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku edhe jetonte familja.

Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muça nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera.

Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qënë i fikur që pas atij momenti.

Për zhdukjen e avokatit 54-vjeçar ka denoncuar në shtetin fqinjë edhe gruaja e tij Raimonda, por autoritetet në Durrës thonë se ende nuk kanë marrë një shkresë zyrtare nga pala italiane.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb