10 mjekët që u dërguan në mision ndihme në Itali kanë filluar sot punën në spitalin e Breshias në Itali, ndërsa 20 infermierët do të fillojnë nesër, të ndarë sipas pavioneve ku janë nevojat më të mëdha.

Ministrja e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u lidh drejtpërdrejt me mjekët në spitalin e Breshias, duke Ii shprehur mbështetjen maksimale për këtë mision humanitar.

“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatoret kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju shprehu mbështetjen në këtë moment të vështirë.

“Një këshillë kisha. E para forca dhe kujdes veten të gjithë ju, pra kujdes materialet e mbrojtjes personale, veshja e duhur për të mos rrezikuar veten. E dyta, ju jeni krenaria jonë, ne kemi besim tek ju dhe do të doja që nëpermjet jush dhe gjithë ekipit tjetër t’ju uroja suksese në këtë mission humanitar”, u shpreh Manastirliu.
Grupi i mjekëve në Itali kanë kërkuar mirëkuptim nga media. “Ne duhet të përqëndrohemi tek kjo punë për të cilën kemi ardhur”, tha mjeku Ermal Pashai.

“Ka një kohë për të punuar dhe për të luftuar, një kohë tjetër pastaj për të ndarë eksperiencën dhe kjo është koha për të luftuar dhe kush lufton nuk e ka mendjen te fjalët, por e ka mendjen te puna. E para këshillë për të gjithë është veshja, kujdes me çdo gjë. Ju jeni siguria jonë. Do doja t’iu uroja sukses. Në këto moment është shumë I rëndësishëm angazhimi juaj, por edhe të tregoni sa më shumë profesionalizëm. Ju jeni aty në një mission finsik, një mission kurajoz në këtë kohë të vështirë. Sa më shumë të përqendruar te puna tani. Kjo është një kohë lufte dhe kush lufton nuk e ka mendjen te fjalët, por te lufta dhe te puna”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb