Artur Kalaja dhe Asim Vokshi kanë nisur sot detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

Në njoftimin për mediet, bëhet e ditur se në Gjykatën e Lartë u zhvillua sot ceremonia e mirëseardhjes dhe fillimit të detyrës së dy anëtarëve më të rinj të trupës gjyqësore.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, merrnin pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësuesi i Presidentit, Bledar Dervishaj, drejtuesja e EURALIUS, Agnes Bernhard dhe Ben Rockwell, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi shprehu kënaqësinë për emërimin e dy gjyqtarëve të rinj në këtë gjykate, duke theksuar se emërimi i tyre do të ndihmojë jo vetëm në gjykimin e më shumë çështjeve gjyqësore, në të tria fushat (civile, penale dhe administrative), por edhe në krijimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai e vlerësoi angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë gjyqtarët më të mirë në Gjykatën e Lartë, proces i cili kërkon natyrshëm kohë dhe profesionalizëm.

Sadushi i uroi suksese gjyqtarëve të rinj në punën e tyre për dhënien e drejtësisë.

Nga ana e saj Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami u shpreh se drejtësia ndryshe vendoset në bazë të disa standardeve të cilave u duhet qëndruar deri në fund.

Gjyqësori duhet të ndryshojë imazhin e tij brenda komunitetit dhe sistemit në përgjithësi, për të sjellë më pas promovimin e këtij imazhi tek politika, qeveria, biznesi, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas saj, ka ende rrugë përpara në mënyrë që këto standarde të konsolidohen, pasi më parë një gjyqtar i Gjykatës së Lartë duhet të lobonte në politikë për tu promovuar, sot kemi diferencën e një standardi krejt të ri, të një drejtësie të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb