TIRANE- Rreth 12 mijë banorë në periferi të Tiranës nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkia e Tiranës dhe UKT nisën investimin për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën që kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Shefqet Kuka” dhe “Thoma Filipeu” në Njësinë Administrative nr. 4, e cila i jep zgjidhje problemit të ujit të pijshëm i mbartur prej vitesh. Punimet u ndoqën nga afër sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Xhemal Qefaliaj, si dhe drejtori i UKT-së, Redi Molla. Pasi u njoh me projektin dhe volumin e punës, kryebashkiaku Veliaj tha se ky investim i jep zgjidhje një kërkese të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone, të cilët prej vitesh vuanin nga mungesa e ujit.

“Një nga kërkesat kryesore të banorëve të zonës ka qenë nevoja për furnizim me ujë të pijshëm dhe më cilësor. Besoj se ky investim i plotëson të gjitha këto nevoja. Koha kur Tirana ndahej në qendër dhe në periferi, në autoktone dhe në të ardhur, në zona të urbanizuara dhe zona informale, duhet të marrë fund. E vetmja mënyrë se si merr fund nuk është me fjalime, por duke bërë investime të tilla, që sjellin urbanizim. Nuk besoj se ka investim që sjell më shumë qytetërim se sa të pasurit ujë të pijshëm”, tha Veliaj. Ai theksoi se bashkia synon që investimi të përfundojë në kohë rekord dhe me cilësi të lartë punimesh.

“Lajmi i mirë është që këtë verë, teksa banorët e kësaj zone shkojnë me pushime, bashkia do të vijojë punën, që kur ata të kthehen nga pushimet, investimi të ketë mbaruar, në mënyrë që 12 mijë familje, jo vetëm të kenë ujë me periudha më të gjata kohe, por sigurisht edhe ujë më cilësor”, shtoi Veliaj. Gjithashtu, ai shtoi se ky investim është një dëshmi e përkushtimit dhe kujdesit të Bashkisë së Tiranës që në këtë vit të parë emergjence të bëjë çdo ditë nga një punë, për t’i dhënë zgjidhje problemeve më urgjente të qytetarëve të Tiranës. “Kjo është puna konkrete e ditës së sotme dhe besoj se mesazhi që kemi marrë është: sa më shumë punë, sa më pak fjalë, sa më pak sherre dhe sa më shumë rezultate konkrete. Kjo është mënyra se si Tirana ecën përpara. Jemi krenarë që vijmë pas 1 viti para banorëve me një premtim të mbajtur, por duhet të pranojmë që ka ende shumë për të bërë”, tha ai.

Ai shfrytëzoi rastin që, në këto ditë të nxehta të verës, kur edhe burimet pakësojnë prurjet, t’u bëjë thirrje qytetarëve të bëjnë më shumë kujdes në përdorimin e ujit dhe të mos abuzojnë me të. “I ftoj qytetarët që ta kursejmë ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është e papranueshme që në pikun e verës, vazhdojmë të përdorim ujë të pijshëm në lavazhe për të larë makina, për të ujitur e vaditur. Ndaj jemi treguar jashtëzakonisht të rreptë dhe do të vazhdojmë të jemi të rreptë më këdo që shpërdoron ujin. Nuk e bëjmë këtë sepse u kemi shpallur luftë lavazheve, por sepse na dhimbsen qytetarët që duan ujë”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo ndërhyrje të paligjshme dhe keqpërdorim të ujit të pijshëm.

Ndërkohë, deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e kthyer në këtë zonë, duke theksuar se rrjeti i ri i ujësjellësit është një investim i kërkuar me ngulm nga banorët e gjithë kësaj zone. “Ka mbaruar ankthi i ujit të pijshëm. Ky është një investim që bëhet në pikun e nevojës për ujë dhe shpresoj që të vazhdojë. Këtu nuk është vetëm për banorët e kësaj zone, por ky invesim mbush edhe një depo kryesore në pjesën e Freskut, gjë që do të përmbushë ato kërkesa që kanë banorët”, u shpreh Qefaliaj.

Punimet për linjën e re të ujësjellësit në këtë zonë do të kryhen në dy lote, ku loti i parë përfshin zonën midis rrugëve “Gaqo Vakeli”, “Abaz Dojaka”, “Shefqet Kuka” dhe “Andon Kuqali”. Me anë të këtij investimi UKT synon t’i japë fund problemeve të furnizimit me ujë, si dhe ndërtimit të një rrjeti komplet i ri sipas të gjitha standardeve duke eliminuar në këtë mënyrë edhe shtrimet e paligjshme që janë gjetur si zgjidhje e përkohshme nga banorët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb