Fatjona Dhimitri, deputetja e opozitës së re parlamentare ka reaguar në lidhje me vendimin e Ministrisë së Arsimit për rinisjen e vitit shkollor në ambientet shkollore.

Dhimitri shkruan se vendimi është bërë publik përmes Facebook-ut por jo me dokumente.

Sipas saj, rikthimit të nxënësve në bankat e dijes, prej të cilave janë shkëputur qysh prej 6 muajsh duhet t’i bashkëlidhet edhe një protokoll masash për mbarëvajtjen e vitit te ri shkollor që facebooku na dikton se do të fillojë në 14 shtator.

POSTIMI I PLOTË
Ministrja Shahini vijon me portretin e përgjumur në vendimet e bëra publike përmes Facebook-ut.

Harron që shteti drejtohet me dokumente dhe jo me deklarata virtuale nëpër rrjetet sociale, pavarësisht se kjo e fundit është bërë e modës.

E pason topin tek Komiteti në të njëjtën formë me të cilën ata që i thurin lavde mbulojnë gjurmët e paaftësisë së saj.

Rikthimit të nxënësve në bankat e dijes, prej të cilave janë shkëputur qysh prej 6 muajsh duhet t’i bashkëlidhet edhe një protokoll masash për mbarëvajtjen e vitit te ri shkollor që facebooku na dikton se do të fillojë në 14 shtator.

1. Prandaj Ministria e Arsimit duhët të bëjë publike vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

2. Është me rëndësi që protokolli i masave të jetë i qartë, i thjeshtë dhe të përfshijë sistemin arsimor parauniversitar në të gjithë territorin.

3. Të përcaktohet numri i nxënësve që do jenë në një klasë kryesisht në ato shkolla ku ka mbipopullim nxënësish dhe shihet thuajse e pamundur të respektohet trendi i distancës sociale.

4. Të evidentohen lehtësirat në transport për nxënës e prindër, kryesisht për distanca të largëta apo ku infrastruktura rrugore mungon.

5. Orari i mësimit të mos reduktohet nëqoftëse mësimi do të bëhet me dy turne, në rast të kundërt nxënësit do të vuajnë mangësitë në përvetësimin e dijeve.

6. Të bëhet transparente mënyra e rekrutimit të mësuesëve që nevojiten në rastet e shtimit të klasave me dy turne si dhe skema e shpenzimeve sipas zërave për burime njerëzore e paisje logjistike.

7. Komiteti Teknik duhet të bëjë transparent inspektimin e kushteve higjieno sanitare në të gjitha shkollat qofshin këto publike apo private, higjienizimin e ambienteve (muret e klasave, tualete, korridore ku shkëmbehen mësues e nxënës).

8. Testimin masiv të mësueseve në shkolla, prej të cilëve mund të ketë të infektuar të padiagnostifikuar dhe kontakti i parë me nxënësin përmes kalimit të materialeve bankë më bankë mund të jetë fatal për shëndetin e tyre.

9. Të vlerësohen familjet me të ardhura minimale si dhe të shihen mundësitë e kompensimit të pagesës së internetit në rastet kur mendohet që një pjesë e programit mësimor të mbartur prej vitit shkollor që lamë pas, të zhvillohet online.

10. Të merren masa që fëmijët e familjeve që vuajtën pasojat e termetit të 26 nëntorit të ndjekin vitin e ri shkollor në të njëjtat kushte dhe standarte me bashkëmoshatarët e tjerë.

Masat e lartpërmendura duhet të merren dhe të garantohen në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe të monitorohet rreptësisht zbatimi i tyre!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb