Në një takim me drejtorët e rinj të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama, ka thënë se sjellja e forcave të policisë, ndaj qytetarit duhet të jetë parësore.

Ai u ndal te operacioni “Bregdeti Ynë”, që sipas tij, ka pushuar përkohësisht për shkak të sezonit të verës dhe do të rinisë sërish në vjeshtë.

Rama theksoi, se çdo ndërtesë pa leje në vijën bregdetare duhet të shembet, e përgjegjësia për këtë sipas tij, është e Policisë së Shtetit.

“Ajo që konsideroj problematike është mosnjohja dhe mosinformimi permanent me ligjin, me normat, parimet ligjore që vepron Policia e Shtetit. Ligjin duhet ta njohë e zbatojë çdo punonjës policie, në çdo cep të territorit.

Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dijeje, dijeje për praktikat e teknologjisë në inovacion. Dije për praktikat e mira deri tek sjellja. Që kjo vatër dije të funksionojë plotësisht duhet që edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet brenda për brenda të jenë të pandërprera. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë, sepse ka vend për të mësuar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është i veçante.

Synimi i materializuar në personat, që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm është që njerëz me profesionalizëm, me integritet, rezultate, të marrin në dorë drejtimin e policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh, e përshpejtuar nga ngjarjet e fundit që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar evropian, me shifra dhe standarde të Policisë së Shtetit. Nëse do të rendisja prioritetet me numra, do të thosha prioriteti nr 1 është raporti me qytetarin, që kërkon që patrullat e renditet, forcat “Shqiponja”, të hynë në një proces shkundjeje të fortë dhe lëvizje nga brenda, për të promovuar drejtues policie si ju vetë që keni marrë besim të ri, e për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A-ja dhe ZH-ja e vlerësimit për çdo punonjës policie.

Nuk duhen shumë, mjaftojnë shumë pak individë që flasin për çart për të degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë, janë shumë pak prej tyre, por janë mjaftueshëm për të degjeneruar imazhin e të gjithëve bashkë. Prioriteti 2 i policisë është kontrolli i plotë i territorin, në sensin e mbrojtjes së pronës publike dhe mjedisit. Nuk ushtrohen aktivitet i paligjshëm në trupin e Shqipërisë. Policia është gardiane e pacenueshmërisë së trupit të këtij vendi, që “Burrat e dheut e thërrisnin zonjë”. Këtë zonjë, duhet ta mbrojë policia e shtetit nga çdo cënim, puçër me qelb që ia nxjerrin në trup dhunuesit.

Të gjithë ju, do të godisni pa asnjë mëshirë. Operacioni i nisur dhe i ndërpre përkohësisht për sezonin, duhet të jetë permanent deri në fund, për shembjen dhe prishjen e ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën turistike. Leximi i vëmendshëm i Kodit Penal, thotë se, pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale, nuk ka rëndësi nëse u kap tani, apo nesër. Nuk shkohet në bregdet duke konsumuar trupa e kohë dhe kostot t’i marrë shteti dhe kombi. Pas çdo ndërtimi pa leje ka persona që duhet të shkojnë në burg.

Një zinxhir i plotë madje, këtë e thotë Kodi Penal. Jo iniciatorët, investitorët, jo pronarët e firmës zbatuese, por çdo person i përfshirë në ndërtimet pa leje është subjekt i ligjit, sepse nuk thua që jam këtu inxhinier dhe nuk e di a ka leje apo jo, sepse i bie të thuash që jam shofer dhe nuk e di që në karrocerinë e makinës kanë futur drogë, s’ka dallim. Leximi mirë i ndryshimeve që janë bërë dhe zbatimi i ligjit, prioritet absolut për drejtuesit e rinj”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb