Gratë dhe vajzat ushtarake e civile të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura kanë ndërmarrë një nismë në ndihmë të fëmijëve të prekur nga tërmeti i para disa ditëve në Itali. Të mbështetura edhe nga vetë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ato kanë ndërgjegjësuar gjithashtu të gjitha njësitë apo repartet e FA, për të lehtësuar sadopak gjendjen e vështirë të cilën ata fëmijë po kalojnë.

Në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo, gratë dhe vajzat ushtarake e civile, me në krye ministren Kodheli, kanë dorëzuar ndihmat e mbledhura për këta fëmijë.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli e konsideroi këtë nismë si të të jashtëzakonshme për të ndihmuar sadopak fëmijët italianë të prekur nga tërmeti i tmerrshëm i disa javëve më parë.

“Është edhe një shenjë e gjenerozitetit, bujarisë së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, por FA, në mënyrë të veçantë, për të treguar dhe njëherë, jo vetëm anën tonë më të mirë, por për të treguar që ndërveprimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë, nuk është vetëm kur flitet për stërvitje të përbashkëta, kur flitet për misione të përbashkëta, por është njëkohësisht edhe në gjërat e vogla. Sigurisht që kjo është simbolike, por njëkohësisht, unë jam e bindur që, është sa simbolike aq edhe domethënëse, emocionuese”, tha ajo, pa harruar të falënderojë pjesëtarët e FA, të cilët kontribuuan në mbledhjen e këtyre lodrave.

“Iniciativë, që jo vetëm na nderon, por tregon edhe njëherë që FA të Republikës së Shqipërisë janë një pjesë e mirë, e denjë, e respektueshme e shtëpisë sonë të madhe, familjes sonë të madhe Euroatlantike dhe këtë e demonstrojnë, jo vetëm kur shkojnë në misione, jo vetëm kur shkojnë në stërvitje të përbashkëta, por dhe në momente të tilla dhe në çaste delikate dhe në momente humane, njerëzore dhe kjo vetëm na nderon”, tha ministrja Kodheli.

Nga ana tjetër ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo, e konsideroi këtë nismë si një gjest mjaft domethënës, dhe falënderoi kontribuuesit e saj.

“Dua të falënderoj zonjën ministre, krerët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe mbi të gjitha të gjithë pjesëtarët e FA shqiptare dhe familjet e tyre që menduan për fëmijët e prekur nga tërmeti i pasa disa ditëve në Itali. Është një mendim që na bën shumë të kënaqur dhe jam i sigurt që do të gëzojë edhe fëmijët që pritet të jetojnë muajt e ardhshëm në kushte të vështira, në pritje të rindërtimit të shtëpive të tyre, dhe që kanë nevojë të ndjejnë dashurinë dhe miqësinë e popullit shqiptar që është veçanërisht e shtrenjtë. Në emër të tyre dhe të gjithë institucioneve italiane, dua t’ju falënderoj dhe do të kujdesemi që kjo ndihmë të arrijë te ata fëmijë. Edhe njëherë, ju faleminderit të gjithëve!”, u shpreh Cutillo.

Ndihma e pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura për fëmijët italianë të moshës nga 1 deri në 10 vjeç të prekur nga tërmeti, konsiston në materiale jetike dhe lodra dhe do të vijojë deri ditën e shtunë.
Ky sensibilizim bëhet në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira që kanë FA shqiptare me ato italiane.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb