TIRANE– Në kuadër të nisma të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në muajin e grave, ministrja Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën e gruas në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku lajmëroi nismën për ofrimin e shërbimit të dedikuar, pa pagesë për gratë e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilat do të përfitojnë ekografitë obstetrikale dhe gjinekologjike, pap test, vizita falas dhe të gjitha shërbimet për të cilat kanë nevojë.

“Në këtë muaj të veçantë, në muajin e grave, çdo ditë po punojmë për përmirësuar cilësinë e jetës për çdo grua, me fokus të veçantë tek gratë e margjinalizuara, për të rrëzuar barrierat për marrjen e shërbimeve shëndetësore në kohë dhe me cilësi. Jemi këtu në këtë qendër tërësisht të rinovuar ku lançojmë nismën më të re të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ju vjen në ndihmë grave më në nevojë. Në një fashë orare të dedikuar enkas për gratë e komunitetit rom dhe egjiptian dhe gratë në nevojë, çdo ditë nga ora 14.00-16.00 mjekët dhe stafi i Maternitetit Mbretëresha Geraldinë do të jenë në shërbim të këtyre grave, të cilat për shumë arsye që lidhen edhe me barrierat socio-kulturore, nuk arrijnë t’i marrin këto shërbime”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Sipas ministres, kjo nismë jo vetëm do të rrisë aksesin në shërbime për gratë e margjinalizuara por do të ndikojë padyshim edhe në uljen e sëmundshmërisë apo komplikacioneve, duke synuar drejt parandalimit të sëmundjeve përmes kontrolleve të hershme.

“Kjo nuk është nisma e parë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sa i takon aksesit në shërbime për kategoritë në nevojë. Nga Janari ne kemi nisur programin tashmë kombëtar të Kujdesit Shëndetësor në Komunitet, përmes të cilit po ofrohet shërbim shëndetësor pranë vendbanimeve, kryesisht të grupeve të margjinalizuara si komuniteti rom dhe egjiptian”, tha Manastirliu.

Rezultatet e ofrimit të shërbimit në komunitet, aty ku janë nevojat, tashmë janë konkrete, pasi vetëm në dy muajt e parë të vitit, u kryen 830 mamografi nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar u kryen 4250 mamografi. Vetëm në dy muaj, 1070 fëmijë janë vaksinuar aty ku jetojnë, pranë vendbanimeve te tyre, fale programit te kujdesit shendetesor nv komunitet të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ndërsa drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, dr.Eljona Demaliaj mbështeti nismën dhe garantoi se mjekët dhe stafi i maternitetit do të jenë në shërbim të dedikuar për të përmbushur deri në fund këtë nismë që garanton shërbimin shëndetësor falas për gratë në nevojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb