Në ditën Ndërkombëtare të Librit, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës ndërmarrin nismën “Udhëtoj përmes librit”, jo sepse libri vlen sa një biletë transporti publik, por për t’i nxitur shqiptarët, që të lexojnë më shumë. Të gjithë mund të gjejmë disa minuta kohë të lirë, të cilat mund t’i shpenzojmë duke lexuar, nëse kemi me vete një libër.

“Para pak kohësh, shihja punonjësit e Ministrisë sonë, të cilët afroheshin në Kinostudio me një libër në dorë për të kaluar momentet e tyre në autobus dhe menduam se do të ishte shumë mirë sikur kjo të merrte edhe një vlerë tjetër. Kjo nismë, i drejtohet edhe studentëve, që udhëtojnë çdo ditë drejt universiteteve, edhe si një ndihmë për ta, por edhe për ne për t’i bashkuar të gjithë drejt librit”, thotë Elva Margariti, Ministre e Kulturës.

Por cili është libri i preferuar i ministres Margariti?
“Libri im i preferuar është një libër fëmijërie “Aventurat e Hakëlberi Finit” (Adventures of Huckleberry Finn nga origjinali)”, tregon Margariti.
Në Ditën Botërore të Librit, preken edhe shqetësimet që Shoqata e botuesve ka parashtruar, siç është TVSH-ja, apo mungesa e botimeve për studentët kryesisht, në Bibliotekat e lagjeve apo shkollave. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se është ngritur një grup pune për këtë çështje, ndërsa nisma “Edukim përmes leximit” e këtij institucioni vazhdon.

Të martën do të ketë aktivitete të ndryshme dedikuar librit në institucionet kulturore, jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb