Tirana Bank, me nismë të Presidentit të Grupit BALFIN Samir Mane, i ka kthyer buzëqeshjen Albinës së vogël, vajzës së mitur të familjes Lezo në Sarandë. Përveç rikonstruksionit dhe rregullimeve, u realizua edhe mobilimi i apartamentit.

Në fund të muajit Qershor 2020, emisioni “Fiks Fare” në Top Channel tregoi kushtet e mjerueshme ku jetonte familja e vogëlushes dhe sesi lagështira e mureve po ndikonte në përkeqësimin e shëndetit të saj. Banesa e Rozina Lezos dhe të bijës së saj në katin e katërt dhe të fundit të një pallati të ndërtuar para viteve ’90, ishte tërësisht e amortizuar, me ujin e lagështinë që depërtonin brenda në shtëpi dhe pa mjetet minimale për një jetesë normale.

Tashmë, pas ndërhyrjes së Tirana Bank, banesa e tyre është rikonstruktuar dhe mobiluar tërësisht nga e para, me të gjitha pajisjet e nevojshme elektro-shtëpiake, higjeno-sanitare dhe të tjera. Problemi i lagështirës në tarracë është zgjidhur përfundimisht dhe mamaja me të bijën, mund të jetojnë më në fund në kushte normale.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, Dritan Mustafa, u shpreh se: “ Jemi shumë të kënaqur, që familja më së fundi ka mundësinë të futet në një ambient të ri, të rregulluar. Punimet që janë kryer në këtë ndërtesë, janë kontribut i drejtpërdrejt i Tirana Bank. Interesimi i menjëhershëm dhe iniciativa e z. Mane u finalizua me transformimin total të apartamentit. Sot është në kushte shumë më të favorshme për familjen, për të jetuar në kushte normale”.  

E zonja e shtëpisë, Rozina, e cila në qershor ishte shprehur se gjatë një muaji ishte e detyruar ta shoqëronte të bijën dy herë në urgjencë për problemet me mushkëritë prej lagështisë, më në fund mund të buzëqeshe. ”Jam shumë e kënaqur, shumë e lumtur, për çfarë është bërë në shtëpinë time. E falënderoj me shpirt, me zemër, Samir Manen, Grupin Balfin dhe Tirana Bank. Jam shumë, shumë e lumtur për çfarë është bërë në shtëpinë time dhe për vajzën time. Vajza është shumë e lumtur dhe shumë e kënaqur, pasi më kërkonte vazhdimisht se kur do të shkojmë në shtëpinë e re. U jam shumë mirënjohëse dhe jam shumë e lumtur” – tha ajo.

Në fund të vizitës në banesën e familjes Lezo,  Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, Dritan Mustafa, i dorëzoi çelësat e banesës Albinës së vogël dhe i uroi familjes që ta gëzojnë banesën e re dhe të jetojnë të lumtur.

Në këtë link mund të shihni të plotë rastin e trajtuar nga Fiks Fare: https://bit.ly/3jTlIDL .

Përgjatë vitit 2019, Grupi BALFIN dhuroi rreth 1 milionë euro për organizimin e një numri të madh projektesh në dobi të komuniteteve duke dhënë kontribut të çmuar për arsimin, fëmijët, shëndetësinë, mjedisin, artin, etj. Grupi BALFIN është ndër të paktat biznese në Shqipëri që mbështet Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të  Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të luftuar pabarazinë, varfërinë dhe për të kontribuar për një shoqëri më të mirë.

Grupi ka dhuruar gjithashtu 1.2 milion euro për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, ndërkohë që mbi 800 mijë euro u janë shtuar këtyre vlerave për të njëjtat kauza edhe gjatë vitit 2020.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb