TIRANË-Gazetaria korri sot një fitore për një kauzë të drejtë. Ishte emisioni ne Neës24, ‘Studio e Hapur” i gazetares së mirenjohur Eni Vasili që përqafoi e para kauzën për lirimin e Nazime Vishës. Gazetarja solli në emision, kërkesën e 6 intelektualeve te mirënjohur shqiptare mes tyre Ismail Kadare dhe Dritero Agollli, për faljen ose uljen e denimit te Nazime Vishes, një të miture te perdhunuar qe vrau perdhunuesin e saj. Nisma u publikua për herë të pare nga Gazetarja Eni Vasili në programin e saj “Studio e Hapur”.
Kauza u përqafua nga Shoqëria Civile dhe mori jetë duke i bërë kërkesë Presidentit. Në kërkesën e parë, Presidenca vendosi refuzimin dhe këtë e bëri pas asnjë shpjegim zyrtar apo deklaratë zyrtare. Por beteja e gazetares vijoi deri ditën e sotme kur Presidenti dekretoi faljen e vajzës.
“Falje e vonuar, por e mirëpritur”. Kështu ka reaguar Eni Vasili sot rreth vendimit të Presidencës për faljen e Nazime Vishës.

Eni, cila është për ju domethënia e këtij dekreti dhe kësaj faljeje?
Mendoj se sot institucioni i presidencës i dha zgjidhje edhe pse me vonesë një prej kauzave më të rëndësishme publike firmosur nga emrat më të rëndësishëm të elitës kombëtare si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Sot presidenti i dha shoqërisë shqiptare mesazhin e faljes, mëshirës dhe mirëkuptimit ndaj dramës së një të miture shqiptare, dramë që për fat të keq konsumohet në heshtje për shumë të mitura të tjera sepse viktimat e përdhunimit paragjykohen dhe margjinalizohen. Sot të miturave shqiptare iu dha mesazhi se shteti dhe shoqëria janë aty për t’i njohur edhe si viktima, ndaj këtyre situatave duhet t’u përgjigjen me denoncime pa patur frikë nga paragjykimi. Ky dekret është mëse i mirëpritur nga unë dhe 6 personalitet që firmosën kërkesën për falje.

Ju sapo keni botuar një libër me histori nga burgu i cili ka tërhequr shumë vëmendjen e lexuesve. A do ta vazhdoni këtë kauzë me personazhët e tjerë të librit tuaj?
Falja e Nazime Vishes i hap rrugë një precedenti të rëndësishëm për gruan shqiptare. Njohjen e saj si viktime jo vetëm si fajtore kur jeta e saj ka qenë pre e dhunës dhe torturave shumëvjecare. Raste të tilla në botë ka shumë. Në janar të këtij viti presidenti i Francës, Hollande deklaroi faljen e një gruaje J.Sauvage, e dënuar me 10 vite burg pasi kish vrarë burrin e saj që e dhunonte prej vitesh. Shoqëria shqiptare më në fund falë edhe kësaj iniciative dhe këtij dekreti i dha të drejtën vetes të gjenerojë një diskutim te madh publik mbi cështjen e gruas, diskutim i cili do gjenerojë padiskutim edhe zgjidhje konkrete.

Çfarë është për ju si gazetare ky moment?
Ësjhtë sigurisht një kulminacion për karrierën time, por mbi të gjitha një mision i përmbushur si grua dhe si qytetarë e këtij vendi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: