KORCE– Qyteti i Korçës është bërë pjesë e një nisme të veçantë e humane në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara, si dhe mbrojtjes e mbajtjes pastër të mjedisit ku jetojmë. Një lëvizje kjo e veçantë që zuri fill mëngjesin e së shtunës me pedalimin me biçikleta, vendosjen e një rampe në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara në hyrje të Muzeut të Arsimit, si dhe prezantimin e disa fotove artistike të mjedisit, e jo vetëm, të kryera nga mjeshtri Ardian Cerga.

Organizatorja e “Albanian Exelence”, Flora Nikolla, shpjegoi edhe qëllimin e kësaj lëvizjeje.

“Qëllimi i këtij aktiviteti i nisur dy vite më parë në Vlorë është sensibilizimi i opinionit publik për të mbrojtur mjedisin tonë dhe për t’ua ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuar”, shpjegoi Nikolla.

Nisma në fjalë është aplikuar më parë në Vlorë, Fier e Elbasan. Për artistin Ardian Cerga e regjisorin Kreshnik Seseri mjedisi ka vlera të papërsëritshme.

“Përveç faktit të nxitjes së një lëvizje me biçikleta në qytet, synohet edhe krijimi i një lloj edukate qytetare, për të komunikuarit me ambientin”, tha artisti Cerga.

Ndërsa regjisori Seseri tha se “Ne kemi një natyrë aq të bukur sa duhet ta duam, ta mbrojmë e ta respektojmë. Sepse ne duhet t’u lëmë diçka edhe fëmijëve tanë”.

Korça sipas kryetares së Këshillit të Qarkut të këtij qyteti, Irena Nikaj, ka infrastrukturën e duhur tashmë për këto kategori.

“Realizimi i këtyre veprimtarive ka të bëjë pikërisht me atë infrastrukturë që ka tashmë qyteti i Korçës dhe që bën të mundur të nxiten forma të lëvizjes që lehtësojnë më shumë trafikun”, tha Nikaj.

Si gjithmonë në mbështetje të nismave humane e të ndjeshme, birra “Korça” ishte promotori e sponsori kryesor.

“Shijuam sot birrën “Korça” dhe diskutuam se bashku, si dhe njohëm dy artistë. Unë jam shumë e nderuar që të prezantoj sot Kreshnik Seserin, i cili ka ikur 17 vite më parë, në vitin 1997. Edhe Kreshniku, është një emocion më vete, jeta e tij nuk ka qenë e lehtë, ka qenë plot tallaze, ka qenë plot vështirësi, e plot guxim”, tha Nikolla.

Të gjithë së bashku në fund të ditës, shijuan pranë djepit të arsimit, një gotë birrë “Korça” e ujin “Fab”, të njohur tashmë për suportin që u japin vlerave kudo ku ato mund të shpërfaqen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb