Po si kështu, nga më vinte ajo tërheqje, nga më vinin ato kumte prej teje, Moikom Zeqo?!..Vetëm pak ditë më parë rigjeta në sirtarë letrën tënde entuziaste, shkruar 36 vjet më parë, atë që ma dërgoje nga Vlora, kur u botua tregimi “Eklips”. E ç’ishte ky përmallim, ç’ishte kjo nostalgji?!..

Po si kështu, Moikom, parmbrëmë m’u shfaqe në ëndërr, kishe një dorëshkrim në dorë dhe erdhe drejt e në shtëpinë time. Sa e freskët ishte boja e shkrimit! Pastaj çfarë, do të ma dhuroje pastaj, do të ma lexoje me zë dhe do të bisedonim së bashku?! E po të them pra, nuk isha as krejt në gjumë, as krejt esëll, isha në atë transhendencën misterioze, kur dy kolegë mund të komunikojnë shpirtërisht me njëri-tjetrin në çfarëdo distance.

Ti po nisesh tashmë… Por i shkurtër do të jetë eklipsi yt, kalimi nga bota e këtejme në të përtejmen. Dhe menjëherë do të bëhet dritë. Dritë prej poetit, prozatorit, eseistit, studiuesit, piktorit, përkthyesit, shqiptarit të flaktë të historisë dhe arkeologjisë, madje deri edhe kërkimeve me zhytje nënujore.

Moikom Zeqo, të shoh si një atlas në llojin e vet. Natyrisht, ti nuk mbaje qiellin, por mbaje 100 libra autorialë mbi shpatullat e tua. Ne do ta kujtojmë këtej Moikomin me kujtesën borgesiane, ndërsa ti andej do të vazhdosh të na gjykosh. Sepse scripta manent, do të thoshe në këtë rast. Dhe ashtu është, letrat mbesin e flasin.

E tash, tash Zoti po të pret për t’u prehur.

Ndërkaq, edhe zemra jonë është e gatshme për amshimin tënd. Për amshimin e për kumtet e tua, Moikom, për kryemotivin e librit tënd të dashur, “Anima Mundi”. Patjetër, shpirti i botës kurrë nuk vdes i ndjeri ynë, i paharrueshmi ynë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb