Albi Doka ka besim se Tirana mund ta fitojë derbin, por sipas tij skuadra ka nevojë që të ketë besim te vetja dhe të korrigjojë disa gabime që ka bërë së fundmi.

“Derbi mbetet gjithnjë i paparashikueshëm dhe i ka brenda të tria rezultatet, por ne do të hyjmë në fushë për ta fituar. Nuk do të jetë e lehtë, por objektivi i Tiranës është gjithmonë fitorja”, thotë Doka me diplomaci për “Panorama Sport”. Më pas ai e pranon se duhet më shumë punë nga skuadra që në pjesën e dytë, të mos përsëriten situatat e vazhdueshme të këtij sezoni.

Doka, si po e përjetoni këtë derbi?

Si një ndeshje normale. Duhet të jemi të qetë, por duhet të japim gjithçka për ta fituar.

Pse mund ta fitojë Tirana derbin?

Sepse kemi një skuadër cilësore, që vërtetë ka pasur ndonjë luhatje deri tani, por cilësitë dhe personaliteti nuk mungojnë. Nëse luftojmë të bashkuar, jam i bindur që mund t’ia dalim. Por arsyeja më e madhe për ta fituar janë tifozët.

Pse tifozët?

Sepse nuk ka më të mirë se tifozët e Tiranës. Ata meritojnë shumë më tepër se kaq dhe ne e dimë, por kam bindjen se do të rikthehemi shpejt aty ku na takon.

E keni fjalën për këtë sezon, apo jo?

Po, jam i bindur që Tirana do ta bëjë shumë shpejt kthesën dhe në fund do t’ia dalim

Pse Tirana vuan kaq shumë në pjesën e dytë, madje edhe derbin e parë të këtij sezoni me Partizanin e humbët në minutën e 92-të…

E çuditshme, por e vërtetë. Nuk na kishte ndodhur më parë kjo gjë. Natyrisht, unë jam lojtar dhe nuk më takon të jap këshilla taktike apo të hyj në detaje, por ndoshta duhet të bëjmë më shumë si skuadër. Ndonjëherë me batutë aty mes nesh themi: “Dikush na ka mallkuar për pjesën e dytë…”. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: