Së bashku për paqen, së bashku për të sjellë buzëqeshje dhe sado pak gëzim për fëmijët e Ukrainës, të cilët sot kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje.

Kjo do të jetë motoja e një koncerti, iniciativa e të cilit ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Me datën 3 dhjetor 2022, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve, do të shfaqet koncerti madhështor “110 vjet Forca të Armatosura, “Së bashku për paqen”.

Të ardhurat nga shitja e biletave të këtij koncerti do të shkojnë në ambasadën e Ukrainës, me qëllim që të mbërrijnë te familjet dhe fëmijët e prekur nga lufta.

Mbi 300 artistë pjesëmarrës

Në këtë koncert së bashku me 300 artistë nga Orkestra Sifonike e FA, Kori i FA, Banda e Ushtrisë shqipëtare dhe Bandat e ushtrive të Kosovës dhe vendeve të NATO nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia, do të performojnë edhe solistët e mirënjohur: Eva Golemi, Kastriot Tusha, Ylber Gjini, Armando Lika dhe Ramona Tullumani.

Kjo është hera e parë që nje event i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri dhe vjen me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë dhe 110-vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare. Mbështetës të këtij eventi janë: Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe ambasada e Ukrainës në Shqipëri. Biletat mund t’i blini në uebsajtin www.vivere.al ose duke telefonuar në nr. e telefonit 0696673220

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb