Nga: DHIMITER GJOKA*

Kishte rënë si pa u kuptuar nata. Megi ndezi dritat e oborrit. Ishte fillim pranvere. Një erë e lehtë vallëzonte me gjethet dhe lulet e sapo çelura të agrumeve dhe pemëve të tjera rreth e rrotull shtëpisë. Xhimi veshi shpejt e shpejt bluzën që kishte hedhur mbi supe dhe me Megin, bashkëshorten u ulën tek tavolina e verandës ku nga filxhanët e mëdha përhapej avulli me aromën e dashur të çajit të malit. Gllënkën e parë edhe pse e nxehtë e rrufiti ashtu pa e marr parasysh se ajo do ta digjte. Mori paketën e cigareve, nxori një, e ndezi, por shkrepja e çakmakut ishte e shpejt dhe i doli huq .E ndezi përsëri dhe kësaj here e mbajti gjatë flakën. Hëna nuk kishte dalë në xhiron e zakonshme .Në mend i erdhi një ndodhi e hershme e largët e fillim viteve ’60 të shek. te kaluar. Si kjo natë ishte edhe atëherë …..
…. Gjyshi i tij Mimo kishte vendosur ta merrte me vete për peshkim. I gëzuar qysh nga çasti që i tha, si ndahej. Edhe kur u ul në tavolinë për të përgatitur ushqimin për peshqit Xhimi kishte vënë këmbët në dërrasën pas karriges, duart në supet e tij dhe kokën ngjitur fort me të tijën. Prej aty e vështronte se si e përgatiste. Gjyshi nuk bezdisej, përkundrazi ndiente kënaqësi të madhe që nipi i rinte kaq pranë. Ushqimi ishte i thjeshtë. Tulen e bukës e përziente me thërrime djathi të bardhë, dhe e përpunonte në duar deri sa përftohej një masë e brumtë. Gishtat lëviznin kaq shpejt saqë Xhimi i vogël zgjaste të tijat sipër të gjyshit dhe e imitonte . Dielli ishte në të perënduar kur u nisën. Nga shtëpia dyqind metra më poshtë ishte deti. Valët nuk dëgjoheshin fare edhe pse të ulur një metër larg tyre. Pa e hedhur mirë grepin në ujë, peshku i parë ra pre shpejt. Ai peshk e bëri Xhimin të brofte në këmbë nga gëzimi. Befas gjyshi i la peshkun e dytë në duart e vogla .Një -ho,hoooo tingëllonte gëzueshëm nga goja e tij. Pastaj u ul, hapi një grop në rërën e gurtë i vendosi atje dhe në çastin që do të çohej për t’ju afruar gjyshit, peshku i tretë shumoi numrin. Pastaj i katërti ..i dhjeti …i njëzeti…..sa shumë peshk u zu atë natë….Të gjithë ishin pothuaj të një madhësie.
-Do të shtrihemi-ndjeu ti flasë Megi .
-Po,po, do të shtrihemi- i ktheu përgjigje si i sapo zgjuar Xhimi.E thithi edhe njëherë atë bisht cigareje që i kishte mbetur mes gishtave dhe e fiku në taketuke.
– E di ç’po kujtoja tani – Ajo po shikonte ngultas mimikën e buzëqeshur të Xhimit. Ishin çuar të dy. Megi i u afrua pothuaj ngjitur me të dhe me gishtin tregues e gudulisi në gushë si për ti thënë- pa hë, ç’po kujtoje- Ai nënqeshi me pak zë dhe nisi ti flasë duke u shkëputur prej saj dhe pas një hapi u mbështet me brrylat tek parvazi i verandës. Të njejtin veprim bëri edhe ajo .Ai fliste dhe sytë e saj endeshin në profilin e tij, tek flokët, tek balli, syri, hunda, mjekra, por ngecnin më shumë tek buzët. Mënyra se si Xhimi filloi të fliste e bënte që të ishte e përqendruar në tregimin e tij. Ajo dëgjonte se si atë natë së bashku me gjyshin kishin kapur shumë peshk me tule buke dhe me pak djath përzier .Ishte shtatë a tetë vjeç at’here .Nuk e kishte menduar as gjyshi se do të kapnin kaq shumë. Orë të tëra kishin kaluar në anë të detit. Xhimit të vogël herë pas here i mbylleshin sytë.Ca nga lumturia e të kapurit vet të disa peshqve, ca nga hedhja dhe të lozurit me to, lodhja si pa e kuptuar e kishte tulatur. Dremiste i ulur në rërë me kokën dhe duart e vendosura mbi gjunj. Zgjohej kur para tij gjyshi i hidhte peshkun e kapur të radhës. S’mund të iknin nga ajo mbarësi peshkimi, paçka se po afrohej mesnata. Edhe pse i mbylleshin sytë dhe e bënte atë gjumë me copa, i kalonin në mend shokët e lagjes. Të nesërmen do t’u mburrej se kishte kapur dhjetë peshq. Pastaj me mend e hidhte poshtë atë numër dhe i vinte për më mirë që të thoshte njëzet. E kështu e zinte gjumi nga zgjidhja që i bënte gjetjes së të thënës për shokët.
– Cohu gjumash,kështu janë peshkatarët,gjumashë?- i kishte folur gjyshi me një zë të ngrohtë, duke e përkëdhelur në kokë dhe në qafë me atë dorën e tij të madhe . Frynte një erë e lehtë dhe dallgët ishin bërë pak të ashpra.
– O gjyshi ,do ti mbaj unë peshqit.
– Po janë shumë o bir dhe si mbanë dot- iu përgjigj gjyshi .Kishin nisur rrugën për në shtëpi.Peshqit, mbeshtjell me një shami koke grash që nuk e dinte se si gjyshi e kishte me vete i mbante me dy duart para gjoksit.Një qetsi e paqtë. Dëgjohej vetëm zhurma karakteristike e dallgëve e cila mpleksej me zhurmën e hapave të rëndë të gjyshit mbi rërën e trashë të bardhë të rrugës .Sy macesh shndrisnin sa majtas dhe djathtas .
-Bobooo- thoshte me vete,-po sikur ndonjë mace t’i sulej e t’ia merrte peshqit ? Nuk e kuptonte nëse e kishte nga frika apo se kishte filluar të bënte pak ftohtë. Gjunjët i dridheshin .Hapi i gjyshit ishte më i madh. I duhej të ecte pak si me kërcim.Dy hapat e tij ishin sa një hap i gjyshit.Ai kërcim i hapit të dytë sikur e trimëronte.Ndiente se qepallat e rëndonin nga pak. Sa arrinin atë pikën e bashkimit për t’u mbyllur i jepte kokës një shtysë për lartë dhe sytë sërish mbeteshin në normalitetin e tyre.Po sa mace kishte atë natë ? Dukej sikur kishin dal për t’i pritur në të dy anët e rrugës.Ububu si ishte njëra që i kaloi fët, afër këmbëve të tij.E madhe dhe e zezë .Mendoi njëherë të kthente kokën mbrapa po s’ia mbajti.Po të kthente kokën , macja mund t’i hidhej dhe t’i çirrte fytyrën.Por jo vetëm kaq,kthimi i kokës do ta bënte që të mbetej pak më mbrapa gjyshit . Pastaj macet do ta sulmonin dhe do ta …..jo,jo, nuk donte të mendonte se çfarë do ti bënin.Ah, edhe kjo nata. Sa mirë do të ishte pa natë fare.Po nga vjen kjo nata?. Dhe në mend i kaloi një bisedë e dëgjuar nga gjyshi për një hajdut që kishte ardhur nga mbrapa malit dhe natën kishte vjedhur një shtëpi në lagjen e sipërme.Hajdutin e kishin kapur por errësira prap kishte mbetur.Se ç’lidhje kishte errësira me hajdutin nuk po i jepte zgjidhje.Një e lehur e fortë qeni u ndie shumë pranë..E njohu atë lehje.Ishte qeni i Nikos,komshiut,shokut të tij.Nuk i kishte mirë mardhëniet me atë qen.Sa herë që kalonte para shtëpisë së tij do të lehte frikshëm.E kishte qëlluar njëherë me gurë, dhe që at’here sa herë që kalonte aty ai lehte ashtu.
-Boboo- mendoi sërish,po të ishte zgjidhur me siguri që do t’i sulej.Macet e shqetsonin,qeni lehu , nata s’kishte dritë fare, kështu që shtrëngoi edhe njëherë duart me të cilat kishte pushtuar peshqit në gjoksin e tij. Ndjeu që gjyshi qëndroi. Kishte dëgjuar një zhurmë të lehtë. Edhe pse frika e kishte pushtuar të tërin, paçka se edhe gjyshi i ishte pranë u mundua të kthejë kokën ngadalë.Kur pamja iu qartësua, vështrimi i ngriu. Një varg i gjatë dhe i drejtë sy macesh shndrisnin në atë erësirë të frikshme. I kishin rënë pa e kuptuar peshq përtokë.Si, nga i kishin rënë ?Ai i mbante kaq shtrënguar sa që për gjykimin e tij në ato çaste ishte e pamundur të besonte se i kishin rënë.Shtrëngimi për ti mbajtur sa më të sigurt në gjoks kishte bërë që ata të binin nga vendi ku brylat bashkoheshin me brinjët.Vështroi peshqit e mbështjell dhe vuri re se kishin mbetur pak ,shumë pak nga ç’kishin kapur .Macet llupisnin pa mjaullima peshqit e freskët të kënaqura nga ushqimi i papritur në mes të natës….
….Megi buzëqeshi.I rëmbeu rrufeshëm një të puthur në cepin e buzës dhe me dorën hedhur në shpatullat e tij e shtyu lehtë për në dhomën e gjumit. Nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë të fliste për ndodhi të fëminisë.Krejt e shpenguar mbi krevatin e rehatshëm përhumbej në natën e atij viti të largët.Xhimi,në vetvete kërkonte në thellësi të kohës ta sillte ngjarjen e kujtuar më lart siç kishte ndodhur……….
….. Duke parë macet që ashtu të heshtura, secila me nga një peshk përpara, sytë ju mbushën me lot. Gjyshi nuk arriti të thoshte ndonjë fjalë a të vepronte mbase për t’i trembur dhe të mblidhnin peshqit e rënë për tokë .Xhimi u bë gati të vraponte drejt tyre, mendoi tu binte me shkelma…por në atë çast një ulërimë therëse sikur e grisi natën. C’ishte ajo britmë e papritur ? Nga erdhi kështu drithëruese dhe e zgjatur?
OOOOooooo….OOO….Mos ma merrniiiii, mos ma merrni djaaaaaliiiinn.
– Ato fjalë erdhën dhe u përplasën në veshët e tyre. Një zë i njohur por i padëgjuar më parë kështu, britmoi vajtueshëm.Ai zë ishte i gjyshes. Vinte nga shtëpia e tyre.C’po ndodhte atje?
– Spirua,policia,vrapo mor bir- foli gjyshi në vrap e sipër .
– Koooorbaaa, kooorbaaaaa unë – dëgjohej sërish zëri i saj. Xhimit se si i vinte tek dëgjonte atë zë mjeran të gjyshes së tij .Vetvetiu ndjeu që sytë iu mbushën me lot. Gjyshja ulërinte, bërtiste e çirrej andej nga shtëpia,ai ngarkohej këtej dhe filloi të qante me të madhe. Kishte mbetur mbrapa gjyshit me peshqit që akoma i mbante shtrënguar në gjoks me të dy duart.Nisi të vraponte ,por sa kishte hedhur hapin e dytë në vrap e sipër u pengua tek një gurë në mes të rrugës dhe ra.Ata pak peshq i fluturuan tutje. Ra dhe u vra në gjunjë, në brryla në gishtrinj të dorës dhe të këmbës.Sërish dëgjoi gjyshen të bërtiste me të madhe.Ajo britma e saj e dëgjuar aty në vetminë e tij në mes të rrugës,në natën pa dritë,pa hënë, pa yje i rrethuar prap nga një grumbull macesh që mjaullinin egër njera me tjetrën, ndoshta ziheshin per peshqit, e bënë të mekej ashtu i shtrirë përdhe . Qentë e lagjes dhe më tej, kishin filluar të lehnin shumë.
– U vrave more bir,çohu – ndjeu zërin e gjyshit dhe duart e tij në të dy krahët që e ngritën në këmbë. Zëri i tij e bëri të haroj frikën dhe dhimbjet. Iu çel fytyra por lotët i rridhnin çurk . Nxitimthi të kapur për dore u afruan tek shtëpia.Një makinë tip Gaz- 51 nga ato Sovjetiket siç e kishte mësuar më vonë kishte ndezur fenerët me drejtim nga fasada e shtëpisë gati dhjetë metra larg, aty në mes të bahçes….
Këtu Xhimi ndërpreu për pak çaste të treguarit. Vështrimi i shkoi nga faqja e murit aty ku më të afërmit e tij ishin fiksuar në foto në vite të shkuara . Gjyshi, ku u përqendrua në fillim, kishte dalë në Korfuz para Luftës së dytë Botërore. Ishte një kompozim bust i tij, me tipare të rregullta që nxirrnin në pah një fytyrë burrërore me sy të mëdhenj të bukur dhe së bashku me mustaqet e holla i jepnin pamjes së tij solemnitet. Ajo foto bardhë e zi ishte bërë kur kishte mbushur të pesëdhjetat. Më pas sytë i shkuan tek fotoja e xhaxhait, Spiros . Kështu e mbante mend, me trup të gjatë,të qeshur . Kishte dal me veshje sportive.Freskia e moshës i jepte atij çasti fiksimi një bukuri mashkullore tepër të veçantë.
Megi lëshoi një ëëëë të zgjatur për t’i kujtuar që të vazhdonte më tej me tregimin . Xhimi lëvizi pak mbi dyshek për t’u rehatuar më mirë.
………Në atë kohë dritat ishin me orar. Centrali kishte ulur levën disa orë përpara. Sytë e tij të mbushura me lot rrokën gjithë veprimet e asaj ore të vonë . Jashtë shtëpisë kishte polic me uniform dhe të tjerë burra. Dy prej tyre rinin ngjitur me xhaxhain, Spiron afër pragut të derës .Brenda shtëpisë lëvizej me fener. Në kortinkat e bardha të dritareve herë vinte ,herë largohej dhe herë qëndronte një hije, dy ,tre në forma të ndryshme. Format e hijeve një gjë kishin të përbashkët,ngjyrën e zezë. Të zeza hijet në kortinkat e bardha,të zinjë policët ku edhe pse ndriçuar nga dritat e makinës prap kështu dukeshin. Hijet e tyre zgjateshin dhe sikur bëheshin një me natën.Me mendjen e moshës së tij donte ti jepte shpjegim tërë asaj nate.Pse e mbanin shtrenguar nga duart xhaxhin ata polic? Pse gjyshja e ëma dhe halla ishin ngjeshur pranë njëra tjetrës dhe një polic pushkën e gjatë e kishte drejtuar nga ato.? Pse qanin të tria? Pse rrobat brenda shtëpisë hidheshin sa lart , majtas e djathtas ?Pse gjyshi zuri emrin e xhaxhait ?Cfarë duhet të kishte bërë ai ?.Teksa mendonte kështu iu tërhoq vëmendja nga një hije që lëvizi në të djathtë të tij,vuri re policë të tjerë paksa larg njeri tjetrit.Një e kollitur e thellë në krahun tjetër bëri që sytë të ndesheshin sërish me hije policësh. Në mend i kaluan macet dhe vërtet pak më parë shumë mace tani shumë policë.
-Na more ti piciruk – dëgjoi një zë të trash burri që me siguri ishte polic.Nuk e ktheu kokën.Do të rinte kështu me veshët ngrehur deri sa dëgjoi sërish po të njëjtin zë.Kësaj here zëri iu duk afër.
-Nga mbive këtu, edhe ti farë e keqe je ?- Kjo fjalë e thënë nga ai zë i trashë burri iu ngulit në vesh si një gjëmë e ndonjë ndodhie nga ana e njerëzve të dashur të tij. Nuk e besonte se në shtëpinë ishte bërë gabim e jo më që xhaxhai i tij të ishte i keq.Kaloi në mend gjithë fytyrat e të afërmëve.Ato ishin kaq të mira sa asgjë të keqe nuk shikonte në to.U mundua të sillte në mend se mos kishte parë ndonjë veprim të keq të xhaxhait të gjyshes,të hallës apo të nënës së vet, por jo.Cdo të thoshte farë e keqe nxjerr nga goja e atij zë trashi? Ndjeu se po i afrohej.Nuk dëshëronte që t’i vinte pranë njeriu i panjohur.C’punë kishte ai me të?Sa do të donte që të ishte i jati aty.Në mëngjes ishte nisur për punë, larg dhe nuk do kthehej atë natë . Ai kishte qënë partizan dhe në kohën e luftës kishte vrarë shumë gjermanë .Mos ishin edhe këta gjermanë ,mendoi për një çast, apo, hajdut si atëhere tek lagjia tjetër ku kishin vjedhur delet .
-O babo,babushi,ah që nuk je këtu-mërmëriti gati të qaj. C’punë kishin me rrobat e shtëpisë që i hidhnin ashtu? Apo kërkonin lekët e shtëpisë që gjyshja i mbante tek këllëfi i jastëkut për t’ia marr? Qentë gjithandej vazhdonin të lehnin me të madhe. Veprimet e policëve në hapësirën e dritave të makinës dhe llambës me vajguri e jashtë tyre, rrotull bahçes, në errësirën e plotë, ja shtonin më shumë kuriozitetin për të kuptuar se ç’farë po ndodhte.Gjyshi po fliste me njërin , por ai e shtyu për mbrapa.Ndërkohë nga brenda shtëpisë dolën tre,katër veta duke bërtitur me zë të lart. Nga këto lëvizje të shpejta dhe të zhurmëshme ndjeu mornica në të gjithë trupin. Gjyshja lëshonte herë pas here një Ooooiiiii-Ooooooiiiii të zgjatur që Xhimit i vinte në vesh e dhimbëshme .Jo vetëm e dhimbëshme por edhe si një piskam që e trondiste dhe e merrte me vete në gjëmimin e shpirtit të saj.Ajo oiii , vinte e zmadhohej brenda trupit të tij të vogël për të shpërthyer pastaj me gjithë forcën e zemërimit:
– Mooos ma viiiidhni xhaaaaxhin – Të gjithë stepën. Të afërmit dhe gjithë ç’farë ishin aty kthyen kokën të habitur për të parë se nga erdhi ky zë fëmije kaq i fort.
– Mos ma merrni xhaxhin – përsëriti sërish me një ton që shprehte dhimbje dhe urrejtje njëkohësisht . I kishin dal nga thellësia e gjoksit ato fjalë . Ai shpërthim fëminor gjëmoi në atë natë në gjithë në gjithë lagjen e deri lart në Kala . Vrapoi drejt xhaxhait për t’ju hedhur në krahët e tij.
– Jo shoku polici,xhaxhi im mëson shumë mirë i tha gjyshit shoku drejtor Milo i shkoll….
Por nuk arriti ta çoj fjalën deri në fund. As nuk mundi ta përqafonte. Një këmbë polici e qëlloi në bark dhe gjoks së bashku. Ishte kaq e beftë ajo e qëlluar sa trupi i tij i vogël u përplas në tok si një trung i prerë. Ndjeu shumë dhimbje,iu zu fryma. Një ooo e zgjatur dhe e mekur i doli nga buzët.
-Mos mor i pashpirt – i bërtiti xhaxhai – ç’farë bënë moreeeee ,po ai është fëmijë.-dhe u mundua t’i sulej dhe pse duart i kishte të lidhura . Dy policët që i rrinin afër e mbërthyen. Njeri prej tyre e kapi prej flokësh dhe filluan ta tërheqin zvarrë drejt makinës. Fytyra e Xhimit mbeti e ngrirë, s’pa më se ç’ndodhi më tej. Kishte mbetur pa frymë. Në atë përhumbje dëgjonte se ai zë trashi, bërtiste
– Tradhëtar, qen – dhe ca fjalë nga goja e xhaxhait që dilnin plot dhimbje.
– Ou,ooou ….
Nga ai çast nuk do ta shikonte më. Do të kalonte kohë prej asaj mesnate që të merrte vesh ndodhinë. Ajo ngjarje do ta shoqëronte në çdo hap të të përditshmes së tij.Xhaxhai me dy shokë të tjerë kishin tentuar të arratiseshin. Dikush i kishte spiunuar.
… Megi u ndje keq. Luajti vendit. Hodhi rrobdëshambrin dhe shkoi pranë dritares .Vështronte herë të shoqin ,herë fotografitë në mur. Rrëfimi i Xhimit e la pafjalë. Asgjë më shumë se sa u fol, hapësira e dhomës nuk do të mbarte fjalë të tjera edhe pse kanati i dritares ishte pak i hapur.

Himarë-Tiranë 2015
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb