TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha e ka cilësuar një reflektim të brendshëm programin e Partisë Demokratike për ish-të përndjekurit politikë.

Gjatë prezantimit të sotëm ai tha se është një ditë emocionesh të thella duke iu referuar 20 shkurtit 1991, por edhe se ky program iu është besuar pinjollëve dhe e ka bërë këtë më shumë një proces reflektimi të brendshëm.

“E sotmja ka qenë një ditë e veçantë, e para sepse është një ditë emocionesh të thella për këdo që e ka përjetuar 20 shkurtin e 1991. Kudo që e ka përjetuar, në shesh, në kampet e internimit, kudo që ka qenë, ata që e kanë përjetuar nga 6-7-8-vjeçarët tek adoleshentët e asaj kohe, tek protagonistët, studentët, greva e të cilëve ishte dhe pikënisja e kësaj ngjarjeje madhore, simbolike për shembjen e simbolit të diktaturës, tek ata që u sakrifikuan në atë betejë. Disa prej tyre nuk i kemi mes nesh, disa i kemi mes nesh dhe presin, por dhe kur nuk i presin meritojnë nderimin e duhur, kam ndërmend emra konkretë por nuk kam ndërmend t’i shpreh për shkak se nuk dua të lë asnjë pa përmendur.

Nderimi im personal për ta është i pandashëm gjatë gjithë këtyre viteve që kam pasur privilegjin t’i njoh, t’i kem në krah dhe në betejat me pasardhësit e diktaturës që janë përpjekur të përdorin mekanizma të njëjta për të zhbërë disa nga liritë. Pra, është një ditë emocionesh dhe përpjekja për t’i shprehur ato gjithmonë i zvogëlon. Është ditë e veçantë dita kur ne publikuam programin tonë politik për të përndjekurit politikë. Në të njëjtin format kemi diskutuar edhe platformën tonë për pronarët. Është e veçantë jo vetëm se kemi përdorur dialogun por sepse klima emocioni, ndjesia në të cilën është zhvilluar programi i të përndjekurve politikë për vetë faktin se ua kemi besuar pinjollëve e ka bërë këtë më shumë një reflektim të brendshëm, një proces reflektimi të brendshëm se sa zotimi dhe angazhimi politik. Kyçi është vullneti politik. Ju garantoj se pjesë e këtij reflektimi për fat të keq 7-vjeçar është dhe ky angazhim konkret me këtë plan që vjen jo thjesht dhe vetëm si përkthim në dokumentet zyrtare të PD i kërkesave tuaja por si zotim angazhim dhe nesër si zbatime të njëpasnjëshme duke nisur nga dita e parë. Falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar në hartimin e këtij plani”, deklaroi Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: