Aktori dhe aktivisti Neritan Liçaj, nëpërmjet një video-mesazhi bën thirrje që qytetarët të bëhen bashkë në protestën e thirrur më datë 7 korrik.

Ndërsa ka ndarë disa nga arsyet përse shqiptarët duhet të dalin në protestë, ai thotë se kjo mazhorancë nuk ka lënë shtresë dhe klasë pa u vënë shkelmin në fyt.

Më tej thekson se kjo qeveria është më e keqja dhe duhet rrëzuar.

“Përse duhet të dalim të gjithë bashkë në datë 7 dhe jo vetëm në 7 por gjithmonë. Nëse do ti futesha kësaj gjëje do të më duhej të flisja shumë gjatë dhe lista me arsyet se përse duhet të protestojmë do të ishte shumë e gjatë. Njëkohësisht edhe do të harroja disa arsye, dhe dikush do të më thoshte se nuk i kisha thënë të gjitha. Kauzat, çështjet, problematikat për të cilat duhet të protestojmë të gjithë bashkë për të treguar integritet kombëtar janë pa fund. Duke nisur që nga arti, kultura, trashëgimia kulturore, shkatërrimi i sistemit shëndetësor, shkatërrimi i sistemit arsimor, blegtoria, bujqit, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri e çartur nuk kanë  lënë shtresë e klasë pa u trokitur tek dera dhe pa u vënë shkelmin në fyt. Mbi të gjitha shpopullimi i Shqipërisë, për të mos larguar fëmijët tanë nga vatra por për të ndërtuar të ardhmen këtu, por jo me këta, këta duhen rrëzuar një orë e më parë. Sepse janë rreziku më i madh dhe pushtuesi më i keq që i ka ardhur në historinë e Shqipërisë në 3 mijë- 5 mijë vjet jetë që ka ky komb. Ndaj duhet të dalim. Mos të harrojmë një fakt se jemi një gjak dhe duhet t’ia them gjërat dhe të vërteta njëri- tjetrit në sy siç janë. Janë dy gjërat të cilat i mbrojnë liritë tona dhe demokracinë dhe pa liri e demokraci nuk ka stabilitet ky vend. E para janë institucionet, që për fatin tonë të keq janë thuajse të dekompozuara, dhe e dyta që është edhe më e rëndësishme është që të ruhen të drejtat e liritë demokratike, ligjore kushtetuese janë qytetari në shesh. Kur regjimet çarten qytetarët dalin në sheh dhe me mjete demokratike tregojnë si nuk mund të mposhtësh, dhe ne kemi një forcë të madhe, aq sa mund të ndikojmë në ndërrimet e fatit të vendit tonë që po shkatërrohet çdo ditë më tepër.  Të parët tanë që ishin dhe mbetën madhështorë, ishin të tillë sepse mendonin madhështisht. Ata nuk shisnin liritë për bukën e gojës, ndërsa kjo ndodh për fat të keq sot. Ky është shkatërrimi ynë i vërtetë. Jo, ne duhet të luftojmë për diçka më të madhe. Që Shqipëria të bëhet ajo që duhet të jetë e të bëhet aq madhështore saç e kanë pasur të parët tanë që dinin përse dhe si  luftonin. Ju pres të gjithëve në shesh. Shpresojmë që të tregojmë forcën tonë, me mjete demokratike kësaj qeverie që nuk ka më punë me ne që nuk përfaqëson askënd nga ne”, ka thënë ai.

Gjithashtu PD ka publikuar video-mesazhet e disa të rinjve që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa bëjnë thirrje që qytetarët shqiptarë kudo që janë t’i bashkohen protestës ditën e nesërme, më 7 korrik.

Të rinj jashtë vendit thekson PD i janë bashkuar kësaj kauze të ngritur nga “Fronti për të shpëtuar Shqipërinë”.

I pari i cili do të japë mesazhin e tij, është Daniel Nikolla, profesionist në Britaninë e Madhe.

“Që prej vitit 2013 në Shqipëri janë shtuar fasadat dhe janë larguar masivisht të rinj dhe është dëmtuar arsimi, Janë pasuruar familjarët dhe miq të qeverisë , por jo pjesa tjetër e qytetarëve. Si një i ri në emigrim ju them që emigrimi nuk është e vetmja zgjidhje. Në datën 7 korrik në orën 19:00 i ju ftoj të gjithë t’i bashkoheni protestës së PS-së.”, shprehet ai.

Protesta me 7 korrik, PD publikon thirrjen e të rinjve në emigrim: Të bëhemi bashkë që të dridhet besimi i verbër i pushtetarëve  se qëndrojnë mbi ligjin

“Qytetarë shqiptarë kudo që jeni nuk na jepet shpesh rasti që të ndikojmë në fatin politik të vendit ndaj është thelbësore që kur na jepet mundësia ta kapim dhe të bëjmë maksimum që të dridhet deri në themel besimi i verbër i pushtetarëve se ata qëndrojnë mbi ligjin”, thotë Andi Mustafaj nga Franca.

“I gjithë kombi shqiptar është në rrezik. Ballkani i hapur kërcënon ekonominë, marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën. le ti themi jo kësaj politike të gabuar të qeverisjes Rama më 7 korrik të gjithë bashkë”, thotë Melisa Braci nga Italia.

“Historia ka njohur dy popuj, popullin dele dhe popullin ujk. Populli dele nuk organizohet, ndërsa populli ujk të shqyen për të drejtat e veta. Ka ardhur koha për t’u bërë popull ujk dhe protestat të mos i japim me koncension si qoka e radhës. Ndaj më datë 7 korrik në orën 19:00 të gjithë bashkë kundër problemit më të madh të këtij vendi, përballë Kryeministrisë”, është shprehur gazetari Aulon Kalaja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb