Një ditë pas çeljes së fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama është ndaluar për një inspektim në Porto Romano, atje ku po ndërtohet Ekoparku i Durrësit.

Kreu i qeverisë ka inspektuar kantierin e ndërtimit si dhe punët e bëra deri tani në këtë park.

Rama tha se ky është vendi që tregon qartë se pse PS-së i duhet mandati i tretë, pasi në të kundërtën rrezikon të shkojë dëm.

“Ky është vendi fiks që të shpjegohet se pse na duhet mandati i 3. Për të mbaruar punën dhe ndryshe nuk ka shans që të mbarojë pasi do të shkojë dëm. Me dekada të tëra këtu kishte mbeturina. Është koha që të çojmë Durrësin në një nivel tjetër, janë hedhur bazat”, tha Rama.

EkoParku do të ketë jo vetëm pedonalen, por do të ofrojë edhe një sërë facilitetesh e shërbimesh për të gjithë grupmoshat, nga fushat e sportit tek ambientet shplodhëse.

“Ishte e paimagjinueshëm që në mes të Europës, në buzë të Mesdheut të ishte një vatër kancerogjene. Sot, ndotja është zero dhe nga kjo plagë e madhe ne ndërtojnë një zemër të madhe të gjelbër të qytetit. Kjo është një super zonë, do ketë vend për lojëra, do ketë vend për lëvizje, që e bën këtë një spektakël të mirëfilltë. Do të fillojë investimi për 110 megavat të tjera energji diellore. Po ashtu kemi lagjen e re të rindërtimit ku ka filluar puna për infrastrukturën, do të ndërtohen apartamentet, qendra shëndetësore, mjedise sportive. Zona e qytetit të bëhet një mjedis turistik që do të jetë një motor i madh ekonomike për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë. Ky është një vizion që po bëhet realitet dhe që kërkon natyrisht kohën e nevojshme që të materializohet i gjithi. Është koha për ta çuar Durrësin në një nivel tjetër. Janë hedhur bazat, tani duhet të ndërtojmë të gjitha sistemet që e bëjnë Durrësin, një shtëpi që të jetë krenari për fëmijët e qytetit dhe që largimi nga shtëpia të mos jetë një zgjedhje e detyruar, por të jetë një alternativë që dikush e zgjedh, sepse jetojmë në një botë të hapur”, – u shpreh Kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb