Gazetarja Klodiana Lala solli në redaksinë e “BalkanWeb” të rejat më të fundit nga shkolla “1 Maji”, e cila po shërben si qendër numërimi të votave të 25 prillit, ku rreth mesnatës së kaluar pati një përleshje mes komisionerëve.

Numërimi i votave u ndërpre mbrëmë për të rinisur mëngjesin e sotëm në orën 08:00, ku siç theksoi gazetarja Lala, nuk është ndërprerë më për asnjë moment. Sa i përket votave të numëruara deri më tani, Lala tha se kryeson PS me mbi 15 mijë vota, e ndjekur nga PD me 8017 vota, ndërsa LSI ka një rënie të konsiderueshme.

“Numërimi nuk është ndërprerë për asnjë moment, që kur ka rinisur në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm. Numërimi u ndërpre pas përplasjes mes vëzhguesve. Nga të dhënat paraprake, PS rezulton me mbi 15 mijë vota, PD ka grumbulluar 8017 vota. Në total janë 87 kuti, mbeten edhe 12 për t’u numëruar. Gjatë gjithë kohës këtu kanë qëndruar Mimi Koledhi dhe Qefalia, ndërsa nga PD ka ardhur pak më parë Oriola Pampuri. Ka prani më të shtuar të forcave të policisë jashtë ambienteve të shkollës “1 Maji”, ndërsa ka pasur dhe ndërkombëtarë, që kanë ardhur dhe kanë parë nga afër situatën. LSI ka një humbje të konsiderueshme në këto zona, ku në zgjedhjet e mëparshme merrte një numër të madh votash, që përktheheshin në mandat deputetësh. Ka pësuar humbje në gati 70% të votave”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb