Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbajë në 25 Korrik Konventën Kombëtare, pikërisht 1 ditë pasi Ilir Metës i mbaron mandati në Presidencë.

Presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur se do t’i rikthehet politikës aktive pas 24 Korrikut, por pa thënë nëse kjo nënkupton rikthimin e tij në LSI. Në këtë kontekst nuk dihet nëse mbajtja e Konventës Kombëtare të LSI-së, ish partisë që Ilir Meta e krijoi në vitin 2004, në 25 korrik, është thjeshtë rastësi, apo e lidhur me mbarimin e mandatit nga ana e kreut të shtetit.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari tha në një konferencë për shtyp se në këtë konventë do të merren vendime të rëndësishme që lidhen me zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

“Në respekt të statutit të LSI-së pika 11.28, gërma B do të mbahet Konventa Kombëtare e LSI në datë 25 korrik 2022 e thirrur nga kryetarja e saj. Konventa do të jetë një moment historik për LSI dhe opozitën shqiptare në tërësi, për të ardhmen e përballjes pa asnjë kompromis me regjimin e rilindjes për të hapur një epokë të re të një Shqipërie të çliruar nga krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit”, tha Brahimllari.

Sipas tij “Konventa Kombëtare do të marrë vendime shumë të rëndësishme politiko-organizative që lidhen me aksionin politik të zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Gjithashtu do të thellohet procesi i brendshëm zgjedhor lidhur me ngritjen e strukturave drejtuese të LSI, proces ky i penguar prej kushteve të pandemise gjatë vitit 2020”.

Ai bëri të ditur se në LSI është ngritur ekipi qëndror i punës për përgatitjen e programit politik dhe ndryshimet statutore në statutin e LSI.

“Në kuadër të këtij organizimi, ngarkohen të gjithë drejtuesit politikë në qarqe, delegatët e Konventës Kombëtare të marrin masa për organizimin e struktrurave të LSI. Strukturat e LSI do të identifikojnë me shumë prioritet problemet e pafundme që qytetarët kanë në raport me qeverisjen qendrore dhe lokale për t’i bërë ato pjesë të aksionit politik dhe sidomos të programit elektoral për zgjedhjet e vitit 2023.  Në këtë proces intensiv riorganizimi do të jenë edhe grupet e punës për riorganizimin e strukturave të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim të cilat do të kenë një rol më të rëndësishëm në organizimin, funksionimin dhe vendimmarrjen e LSI”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: