NGA ANILA JOLE

Fatkeqësisht nuk kisha qenë asnjëherë më parë në Lukovë. Kur kam kaluar bregut të bukur të Jugut, emrin e saj e kam parë vetëm tabelën treguese në rrugë, por nuk kam ndaluar. Vetëm se kisha dëgjuar e lexuar më herët për tarracat e agrumeve dhe ullinjve, që të rinjtë e kohës së komunizmit kanë hapur aty me duart e tyre dhe tani prisja t’i shihja…

Teksa fshati u shfaq në pllajën e një mali, ende nuk po shihja detin dhe nuk po krijoja një ide se ku do t’i kaloja ditët e pushimeve. Shumë shpejt një pjesë e kureshtjes u shua, kur një vendas na doli përpara për të na drejtuar në shtëpinë ku do të qëndronim. Pamja që mu shfaq përpara syve ishte befasuese. Shtëpia që na tregoi, ishte një viletë e vogël, e bukur, me 3 dhoma të mëdha e plot dritë, e rrethuar me lule shumëngjyrëshe, nën hijen e një ulliri madhështor. Ballkonet e dhomave komode dhe me hapësirë, të ofronin një pamje magjepsëse të detit dhe të një lumi që përshkonte atë pjesë të fshatit. Të zotët e shtëpisë, që unë e pagëzova “shtëpia e luleve”, kishin investuar me shumë kujdes dhe me shije deri në detaje për t’iu krijuar miqve një mjedis sa më komod.

Rruga për në plazh zgjaste vetëm 4 minuta e gjysmë me makinë. Ajo gjarpëronte dhe zbriste mes ullinjve. Në fund shfaqej deti dhe plazhi i bukur, që njihet ndryshe me emrin “Shpellat e Lukovës”…

Zbritëm nga makina për të ecur më këmbë, me qëllim që të eksploronim mjedisin. Disa metra larg nga deti, nën hijen e ullinjve, vendasit kishin ngritur disa lokale druri, që ofronin ushqimin e gatuar me merak dhe gjithçka mund të dëshiroje në një ditë të nxehtë pranë detit. Ndërtimet, (nëse mund t’i quaj të tilla, sepse nuk ishin “shëmti betoni”) qëndronin mjaftueshëm larg njëra-tjetrës dhe kjo bënte që plazhi të mos mbi popullohej. Deti i kaltër, i pastër, i qetë, i mrekullueshëm i vinte kapakun pamjes së bukur.

Megjithatë, befasia më e madhe ishte sjellja dhe pritja e njerëzve. Në lokalet e Lukovës, shërbenin kryesisht vajza e djem të rinj, që të flisnin të buzëqeshur e në vend që të prisnin t’i falënderoje, të falënderonin ata për çdo komunikim. Dukej se bëhej fjalë për biznese familjare, që funksiononin shumë mirë. Nuk mund të mos e përmend faktin që çmimet nuk ishin “çmendur”. Gjithçka rreth tyre mu duk e arsyeshme, nëse flasim për pushime.

Ndërkaq ajo që më së shumti kërkoja dhe e gjeta në Lukovë, ishte një lloj intimiteti, që ai vend ta ofronte. Kishte mjaft pushues, por prania e askujt nuk e prishte qetësinë dhe komoditetin e tjetrit. Nuk shihje aty paradë femrash, që qëllimin e vetëm kanë ekspozimin e trupit dhe kostumeve të banjës, as ndeshje futbolli e lojëra të dhunshme mes njerëzve nga adoleshentë, që deri në mesditë s’iu ka dalë ende pija e natës së kaluar. Nuk bëhej garë për zërin me të lartë të muzikës mes lokaleve. Askush nuk kalonte me lopë, apo mushka e gomerë për të shitur petulla, letra bixhozi, kamerdare apo fustane plazhi. Natyrisht, për aksesorët e nevojshëm të plazhit, kishte një dyqan të vogël, diku nën ullinjtë…

Dreka ishte një kënaqësi më vete, porosinë për të cilën të zotët e lokalit kujdeseshin ta merrnin herët, në mënyrë që të plotësonin shijet e të gjithëve. Dhe më pas një frappe apo një kafe express e shërbyer nën çadër, të bënte të ndiheshe vërtet mirë.

Lukoviotët ishin njerëz të qetë, të dashur e mikpritës. Kishin kulturë turizmi, ndoshta e kultivuar nga fakti që thuajse të gjithë kishin emigruar në Greqi dhe kanë parë si funksionojnë bizneset e turizmit aty. E meqë përmenda Greqinë, rrallë dëgjova të flitej greqisht siç ndodh në disa fshatra të Jugut. Vetëm fëmijë të vegjël flisnin me njëri-tjetrin kur luanin. Besoj se ishin fëmijë të lindur në Greqi, që ktheheshin me pushime te fshati i prindërve që e përdornin për t’u shprehur më shpejt e më saktë. Shumëkush mund të rrudhë buzët për këtë, por përveç faktorëve të tjerë, unë po jap një shpjegim shumë domethënës; 10 ditë në Lukovë nuk pashë në televizor asnjë stacion shqiptar dhe Adriani, i zoti i shtëpisë, na sqaroi se shqip në ekranet e tyre nuk është parë ndonjëherë.

Televizioni kapte vetëm 5-6 stacione greke. Nëse doje të dëgjoje e të shihje shqip në këtë vend shqiptar, duhet të paguaje, në të kundërt, nuk mund të merrje vesh çfarë ndodhte, qoftë edhe pak kilometra më tutje në Shqipëri. Shteti në këtë fshat m’u duk se nuk ekzistonte dhe mesa dukej, as nuk iu duhej. Energjia elektrike, për të cilën pronarët e lokaleve ankoheshin se iu vinte e dobët, kompensohej me gjeneratorë. Ujë fatmirësisht fshati kishte, dhe për ta ngrohur e kishin zgjidhur me panele diellore. “Atëherë, përse të kam o shtet?”, do thoshin lukoviotët, të cilët e kishin zgjidhur jetesën e tyre falë edhe këtij vendi të bukur që iu ka falur Zoti.

Në këtë atmosferë të këndshme kaluan ditët, në fund të të cilave nuk mund t’i shpëtosh një trishtimi të lehtë. Me shaka iu thashë disa miqve lukoviotë: “Do të largohem, por dua ta mbyll këtë vend të bukur me një dryn të madh. Kam frikë mos e keqtrajtojnë ‘peshkaqenët e uritur për beton’, sepse më dhemb shpirti nëse dëmtohet kjo bukuri”. Ata qeshën dhe më thanë: “Drynin e kemi ne të gjithë. Mos u shqetëso, se nuk e lejojmë diçka të tillë!”

Në dalje të plazhit të këtij fshati, ku jetojnë myslimanë e të krishterë, ishte një kishëz e vogël e vjetër, kisha e Shën Nikollës. Në ikje, ndalova të ndez një qiri e të falënderoj Zotin për Lukovën, atë vend të bukur dhe për ata njerëz të mirë që takova aty.

  • foto galeri
  • foto galeri

(b.e/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: