TIRANË

Kryeministri Edi Rama e ka falënderuar Vasilika Hysin për kontributin e saj në PS, ndërkohë që ka pranuar gabimin me përzgjedhje të caktuara të njerëzve në PS.

Ai i kërkoi falje Hysit më tej për shqetësimet dhe stresin që kanë kaluar për shkak të këtij gabimi.

“Shumë faleminderit sinqerisht. Është e vërtetë që unë kam bërë ca luftëra për të bindur jo pak njerëz që nuk e kanë menduar që do merreshin me politikë, që tronditeshin kur unë i thosha hajde përfshihu. Janë shumë më shumë njerëzit e aftë, njerëzit e mirë, të përkushtuar, të vendosur, me integritet, me edukim që unë kam sjellë se sa ndonjë gabim që unë kam bërë në përzgjedhje të caktuara, por për fat të keq gabimet bëjnë më shumë zhurmë se sa gjërat e drejta. Për fat akoma më të keq, është e trishtueshme që gjithë ky transformim i madh që ka ndodhur në PS, sidomos me prurjet e jashtëzakonshme të grave e vajzave janë nënvlerësuar, anashkaluar dhe është ekspozuar vetëm një faktor, një problem, nuk mund të them që nuk ka qenë problem, por është stërzmadhuar dhe ka krijuar shqetësime jo të pakta për ju dhe kërkoj ndjesë për këtë rast. Nuk kam përgjegjësi aq sa thonë por dhe që nuk kam përgjegjësi s’mund ta them. Ju, ti në radhë të parë nuk e keni merituar të kaloni gjithë këtë stres”, tha Rama.

Duke iu referuar falënderimit të Hysit për Gramoz Ruçin, Rama tha se ai ka qenë shkolla më e mirë, ndaj dhe janë këta që janë.

“Unë kam ardhur në PS vetë, ti ke ardhur në PS duke hedhur një hap në përgjigje të ftesës sime. Por për shkollë partie Gramozin kemi. Duke qenë shkolla më e mirë e partisë jemi këta që jemi.
Jam prekur shumë nga letra jote sepse nuk është e zakonshme në ditët tona që dikush të gjejë energji kaq pozitive për të dalë nga kjo valle që duke dalë nga kjo valle të rrezatojë këtë energji pozitive. Një shembull që për fat të keq jo të gjithë e kanë dhënë dhe nderi është i yti.
Është e vërtetë reforma në drejtësi është sot një ngrehinë, dje ishte një ëndërr shumë e guximshme dhe një ëndërr që praktikisht në shumë vite askush nuk guxoi t’i afrohej se dukej e pamundur. Pastaj u vu një themel dhe sot është një ngrehinë, por njësoj si të gjitha punët në Shqipëri dhe drejtësia është një kantier i madh”, tha Rama ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb