Blerina Bombaj, dietologe

Përse farat janë kaq të ushqyeshme?
A e keni menduar përse vallë janë kaq të çmuara farat? Sepse një farë është jeta e një bime të re. Për këtë arsye ato janë aq të ushqyeshme dhe të kompletuara, mund t’i krahasojmë edhe pak me vezën. Farat janë të pasura në lëndë thelbësore ushqyese siç janë proteinat, yndyrat esenciale, vitaminat dhe mineralet. Veçanërisht të pasura në vitaminë E, farat fuqizojnë forcën tonë antioksiduese dhe na ndihmojnë tëneutralizojmë çdo agjent agresiv ndaj qelizave tona. Yndyrat esenciale rrisin imunitetin dhe përmirësojnë shëndetin e trurit tonë. Proteinat na japin lëndën e parë për ndërtimin e muskulaturës por edhe të hormoneve dhe enzimave pa të cilat nuk do kishte jetë. Për më tepër, farat kanë edhe fibra bimore të cilat luajnë rol mbrojtës për aparatin tretës, luftojnë kolesterolin dhe lidhen me rrezikshmëri më të ulët të kancerit të gjirit dhe të mushkërive.
Recetë ideale për shëndetin:
• 1lugë të madhe fara lini të cilat i bluani në mulli kafeje ose ne blendër
• 1 lugë të madhe fara “chia” ose kërpi
• 1 lugë të madhe mjaltë të pastër
• 1/4 lugë kanellë
• 1/4 lugë shafran Indie
• 1 lugë të vogël gjalpë kokosi ose vaj ulliri ose lini, të presuar në të ftohtë
Kjo recetë forcon imunitetin, lufton veprimtarinë kancerogjene në organizëm dhe jep energji efikase për çdo qelizë të trupit.
Kujdes!
Farat që tregtohen të hapura janë të rrezikshme. Ato priren të infektohen nga myku dhe prodhojnë aflatoksinë, një substancë me veprim kancerogjen në organizmin e njeriut. Për këtë arsye duhet të ruhen të mbyllura dhe në ambiente të thata. Përveç rrezikut të mykut, farat e hapura pësojnë dëmtim të madh për sa i përket cilësisë së yndyrave të tyre esenciale. Këto yndyra që ne i quajmë omega 3 ose 6, janë të pangopura dhe si te tilla ato janë shumë delikate dhe të prirura ndaj oksidimit kur janë në kontakt me ajrin. Oksidimi i këtyre yndyrave i prish ato dhe i bën të kenë efekt të kundërt në organizmin tonë krahasuar me formën e tyre natyrale. Shumë e rëndësishme është t’i blini të paketuara mirë, të freskëta (jo të pjekura), dhe të plota, domethënë të pabluara./shendeti

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: