Vllaznia pret në “Loro Boriçi” ekipin e Kastriotit dhe pas 3 rezultatesh negative radhazi nw kampionat, kërkojnë me çdo kusht të rikthehen te fitorja. Sot në konferencën për shtyp, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric u shpreh:

“Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që nisëm në Kupë ndaj Pogradecit të mërkurën. Lojtarët duhetë jenë të qetë dhe të motivuar siç kanë qenë në stërvitje dhe me qetësi nesër do të marrim rezultat nëse luajmë siç dimë ne të bëjmë më mirë”.

Kastrioti – “Është një ndeshje tjetër nga ajo e vitit të kaluar pasi është një sezoni i ri me lojtarë të tjerë. Ajo që dua është që lojtarët të jenë në maksimum e të bëjnë më të mirën e tyre që t’i shkaktojmë humbje Kastriotit. Gjithë kjo punë dhe mund që kemi bërë deri tani të shpërblehen nesër.

E para duhet të kemi shumë vetëbesim dhe nuk duhet të mendojmë për Kastriotin, por për veten tonë. E dimë si luajnë ata, por përqendrimi maksimal do të jetë te mënyra sesi luajmë ne dhe çfarë do të bëjmë në fushë për të marrë fitoren”.

6 gola si ndaj Pogradecit? “Të shënosh 6 gola ndaj një skuadre që mbrohet mirë është gjë e bukur, por ne duhet të dimë si të futemi në zonë, duhet të fitojmë sa më shumë duele dhe të bëjmë më të mirën tonë që gjërat të shkojnë siç kemi ne dëshirë. Ndaj Pogradecit ia dolëm mirë e tani të përqendrohemi te ndeshja nesër”.

Gjendja e skuadrës? “Do të starojmë me 11-shen më të mirë nesër dhe ata janë shumë të motivuar për të luajtur dhe për të fituar ndaj Kastriotit. Kemi edhe lojtarët e stolit të cilët janë të aftë për të bërë diferencën, sigurisht që të gjithë duan të luajnë, por ne do të zgjedhim më të mirët. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të jenë në maksimum dhe e kam parë në sytë e tyre që janë shumë të motivuar për të fituar ndeshjen nesër”, u shpreh Brdaric.

Sot në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit Brdaric ishte edhe Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë, i cili u shpreh:

Kampionati – “Është një kundërshtar i vështirë, ky kampionat ka treguar që nuk ka kundërshtar të lehtë. Po të marim një shembull me Tiranë që ka bërë një fazë të parë perfekte dhe ka lënë pikë ndaj Kastriotit dhe Egnatias, ndërsa me ekipet pretedente i ka fituar ndeshjet. Ky kampionat tregon që nuk ka ndeshje të lehta dhe ndeshja nesër duhet marrë seriozisht dhe duhet fituar me patjetër”.

Pushimi për shkak të Kombëtareve – “Pushimi erdhi në momentin e duhur sepse ishim pas disa rezultateve jo të mira dhe kjo ndalesë na ka shërbyer për mirë. Të gjithë lojtarët kanë reflektuar dhe I kemi kuptuar gabimet që kemi bërë. Jemi të motivuar për ndeshjen e nesërme. Pushimi na bëri mirë dhe kjo u reflektua në Kupë ndaj Pogradecit që shënuam 6 gola pavarsisht diferencave. Skuadra është e motivuar që nesër të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin”.

Gati gjysma e pikëve nga sezoni i kaluar – “Është e vërtetë kjo gjë, por jemi të vetdijshëm që skuadra ka shumë cilësi dhe forca për të dalë nga kjo situatë. Jam I sigurt që shumë shpejt do të vijnë rezultatet dhe besoj se Vllaznia do të rikthehet aty ku të gjithë tifozët e dëshirojnë”.

Kalendari – “Në 5 ndeshjet e radhës, 4 I kemi në Shkodër. Ne si në Shkodër, por edhe jashtë futemi gjithmonë në fushë për të marrë maksimumin. Të luash në Shkodër 4 ndeshje është gjë e mirë, shpresoj që të kemi edhe përkrahjen e tifozëve e ne do të bëjmë maksimumin duke filluar që nga nesër pasi nesër është finalja jonë”.

Tifozët – “E kuptoj që janë mërzitur pasi kanë pritur më shumë nga ne, por ato që kanë ikur nuk kthehen më. Tifozët duhet t’I japin kurajo skuadrës edhe në momente të vështira dhe ne do të kthehemi aty ku të gjithë e dëshirojmë”.

Aspekti personal – “Vllaznia nuk është ajo e sezonit të kaluar, normalisht që shfaqen probleme të lojtarëve të caktuar. Në fillim të sezonit kisha një dëmtim, por e kam kaluar dhe dita ditës po kthehem te ai Gurishta i sezonit. Më e rëndësishme është që Vllaznia të kthehet te ajo Vllazni e sezonit të kaluar dhe jo të kthehet Gurishta dhe pastaj lojtarët e tjerë të mos jenë në 100% e tyre”, u shpreh kapiteni Gurishta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb