Regjisori shqiptar Lorin Terezi me filmin “The News” (Lajmi) ka arritur të rrëmbejë një çmim të rëndësishëm në mesin e shumë regjisorëve me famë ndërkombëtare. Në ceremoninë e filmit me metrazh të shkurtër “FlickerFest” që u mbajt në Bondi Beach, Sydney, Australi ai ka arritur të marrë çmimin “Best International Short Film”.

The News
The News

Filmi i tij “The News” u vlerësua maksimalisht nga kritikët e “Flickerfest Award”. Filmi flet për vdekjen e një gruaje, e cila gjendet e pajetë pranë një burimi. Më pas tregohet mënyra se si lajmi transmetohet në media dhe se si po përfitohet nga vdekja e gruas.

FlickerFest është i akredituar nga Akademia e Oscars dhe i njohur nga BAFTA.

Në një intervistë për “Zërin”, regjisori Terezi tregoi se filmi “The News” tregon për një nuse të re, e ngarkuar me porosi të parëndësishme nga familja e burrit të saj. Kur burri i saj është në Greqi ajo ngec në trupin e një gruaje të vdekur ndërsa merr ujin nga burimi. Të shtyrë në një anë të dy vjehrrit e nuses vijojnë të flasin me lajmet lokale, duke gënjyer për gjetjen e trupit dhe duke u kënaqur me vëmendjen që po marrin. Këtu fillon një betejë mes të gjithë fshatarëve, ku të gjithë banorët përfshihen nga protagonizmi i paparashikuar, teksa policia dhe mediat zbarkojnë ne fshatin e harruar. Autori na tregoi se ideja për këtë temë erdhi nga realiteti i dhunshëm mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Zgjedhja e temës lindi nga një kronikë lajmesh, ku i intervistuari më shumë sesa fliste për ngjarjen, shijonte protagonizmin. Më pas me zhvillimin e skenarit lindën edhe nënshtresa të tjera, si nënshtrimi i femrës ndaj arkaizmit dhe patrialkalitetit, varfëria e emigrimi”, u shpreh Terezi. Në këtë film janë katër aktorë profesionistë: Nusja, vjehrri, vjehrra dhe gazetarja. Pjesa tjetër janë të gjithë njerëz të fshatit. Autori tregoi se kjo histori nuk do të funksiononte pa një interpretim natyralist të aktorëve. Ai ndër të tjera veçoi Albulena Kryeziu-Bokshin për punën e saj. “Doja të veçoja Lenën, që zgjodhi ‘armë’ aq të thjeshta për të na dhënë emocione”, tha Terezi.

Filmi “The News” është financuar nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe tashmë është bërë i ditur lajmi se premierën e tij do ta ketë në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër “Flickerfest”, në Australi. Festival ky i cili është i akredituar nga “Oskar”-i dhe i njohur nga BAFTA. Regjisori Lorin Tereziu u lind në Tiranë. Ai mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë për Regjinë e Teatrit. Më vonë u diplomua në të njëjtin universitet për Regjinë e Filmit dhe të TV-së. Ai ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Teatrit Rinor për shfaqjen më të mirë me filmin “Menaxhimi i xhamit”. Regjisori Terezi gjithashtu fitoi çmimin e parë për dokumentarin “Mungesë” në konkursin “Rrathë”. Aktualisht ai është duke punuar në televizione dhe duke filmuar dokumentarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb