TIRANE – Edhe pse deri më sot, të gjithë personat e thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dëshmuar kundër Emiljano Shullazit, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, burime për “News24” bëjnë të ditur se një biznesmene grua ka dëshmuar kundër tij.

Biznesmenia në fjalë ka deklaruar se i kanë marrë një pasuri në Tiranë, vlera e së cilës kap shumën e 1 milion eurove, duke shtuar se kjo pasuri ka kaluar në pronësi të mikut të ngushtë të Shullazit, Gilmando Dani.

Sipas burimeve, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve në Hipotekë dhe në Gjykatë, në mënyrë që të verifikohet me prova denoncimi i biznesmenes.

Ndërkaq në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria nuk jep asnjë informacion, për shkak të konfidencialitetit.

Emiljano Shullazi ndodhet në para burgim në Tiranë, një javë pasi u transferua në burgun e sigurisë së lartë në Elbasan. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe prokuroria e Krujës.

Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

(er.nu/news24/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: