Nga: Matilda Arapi*

TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në një bashkëbisedim informal me gazetarët e agjencive të lajmeve on line në vend hodhi poshtë mundësinë për të qenë kandidatja femër që mund të propozojë Partia Socialiste në krye të Bashkisë së Tiranës.

Meqenëse pak ditë më parë, kryeministri Rama e la të hapur mundësinë se edhe një grua mund të ishte kryebashkiakja e radhës, Kodheli mohon të jetë ajo.

“Qetësohuni, nuk jam unë”, ka thënë ministrja.

E pyetur nëse do ti rikthehej Bashkisë së kryeqytetit, duke u nisur nga eksperienca e saj disavjeçare si nënkryetare, Kodheli sqaron se “Unë nuk iu kthehem më punëve nga të cilat kam dhënë dorëheqjen. Unë kam një parim në jetë, nuk i kthehem kurrë punëve që kam bërë njëherë. E kam mbyllur kapitullin me Bashkinë e Tiranës kur vendosa të japë dorëheqjen si nënkryetare dhe të kandidoj në zgjedhjet për Kuvend përballë Bamir Topit”.

Ministrja nuk e mohoi që Bashkia e Tiranës ka nevojë të drejtohet nga një njeri që punon fort, ndërsa nuk nguroi të shprehë rezervat e saj për mënyrën se si punohet sot në atë bashki.

“Mjafton të shikosh pusetat e hapura nëpër Tiranë…”, komentoi ajo.

Gjatë bashkëbisedimit, ministrja Kodheli u distancua nga akuzat e ish-kryeministrit Berisha, që sipas saj kalonin caqet e normales.

“Të thuash për mua që e kam fytyrën të pudrosur me drogë? Po kjo nuk ka ku të shkojë. Imagjinoni që më njeh shumë mirë kush jam, njeh prindërit e mi, ai ka ngrënë bukë në shtëpinë time…Por unë besoj që ai arrin deri në këtë pikë pasi ka ndonjë hall të madh”, shtoi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: