Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ka ngritur të martën aktakuzë kundër një gruaje nga Kosova për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”,

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se e pandehura F.Z. më 23 gusht të vitit 2014, “me dëshirë të plotë, me vetëdije, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“ në Prishtinë, ka lëshuar vendbanimin e saj të përhershëm në Republikën e Kosovës, për të vazhduar fluturimin për në qytetin Stamboll të Republikës së Turqisë, me qëllim që përmes territorit të Republikës së Turqisë, të udhëtojë për në shtetet islamike Irak dhe Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitët organizatës terroriste “ISIS”, e cila ishte duke luftuar dhe shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjera, te vrasjet në këto shtete, organizatë kjo e shpallur Organizatë Terroriste nga OKB-ja”.

Me këto veprime, thuhet në njoftim, e pandehura F.Z. ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, vepër e dënueshme nga ligjet e Kosovës.

Prokuroria nuk ka dhënë më shumë hollësi, por e akuzuara është një nga 110 personat që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra është dënuar me kusht.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb