Ushtria ukrainase tha më 26 mars se ofensivat ruse janë përqendruar në Bakhmut dhe në disa pjesë të tjera në lindje të vendit. Kjo deklaratë vjen pasi Moska njoftoi për planet për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje dhe presidenti ukrainas mirëpriti ndihmën e fundit të ofruar nga komuniteti ndërkombëtar.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e tij po vazhdojnë të mbajnë pozicionet në Bakhmut, qytet që për muaj të tërë është i rrethuar nga forcat ruse. Më herët gjatë kësaj jave, një komandant i lartë ukrainas tha se situata në Bakhmut është duke u “stabilizuar”.

Ushtria ukrainase tha se sulmet ruse po vazhdojnë në Liman, Marinka dhe Avdivivka në Donjeck.

Kievi po ashtu tha se forcat e tij po kryejnë “veprime mbrojtëse” në zonat përreth Hersonit dhe Zaporizhjës, ku granatimet përreth centralit bërthamor të Zaporizhjës – që është nën kontrollin rus – kanë rritur shqetësimet.

Më 24 mars, autoritetet në qytetin e Khersonit u bën thirrje banorëve që gjenden pranë lumit Dnjepër që të largohen “në zona të sigurta”.

Ushtria ukrainase tha se pushtuesit në qytetin Berdiansk, në zonën e Zaporizhjës, kanë lëshuar një dekret duke detyruar banorët që të marrin leje për të lëvizur në këtë zonë, por për të marrë këto leje, ata po iu nënshtrohen kontrolleve.

Forcat ruse dhe aleatët e tyre separatistë kanë kryer operacione “filtruese” në shkallë të gjerë, duke kontrolluar civilët në territoret e pushtuara që kur ka nisur pushtimi në shkurt të vitit 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës po ashtu pretendoi se pala ruse ka pësuar 170.000 viktima që kur ka nisur pushtimi.

Radio Evropa e Lirë nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet e secilës palë për humbjet në fushëbetejë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se drejtori gjeneral, Rafael Grossi, do të realizojë javën e ardhshme vizitën e dytë në centralin e okupuar bërthamor të Zaporizhjës, ku ai dhe ekspertët e tjerë bërthamorë vazhdimisht kanë paralajmëruar për rrezikun e një kërcënimi bërthamor.

Ndërkaq, sekretari i Këshillit Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës, Oleksiy Danilov, pasi Kremlini njoftoi se do të dislokonte armë bërthamore taktike në Bjellorusi, tha se Minsku është “peng” i Moskës.

Danilov shkroi në Twitter se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, është “një hap drejt destabilizimit të brendshëm” të Bjellorusisë që “maksimalizon nivelin e perceptimit negativ dhe refuzimin publik të Rusisë dhe Putinit në shoqërinë bjelloruse”.

“Kremlini e ka marrë peng bërthamor Bjellorusinë”, tha ai.

Media shtetërore ruse, TASS, citoi Putinin duke pretenduar se nuk ka “asgjë të pazakontë” lidhur me dislokimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi dhe se ky vendim nuk shkel traktatet ekzistuese bërthamore.

Ndërkaq, në adresimin e tij në mbrëmjen e 25 marsit presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mirëpriti vendimin “për paketën e re të ndihmës mbrojtëse” nga Finlanda, Gjermania, Lituania dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe nga vendimi i ngjashëm që morën ligjvënësit suedezë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb