Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbajtën sot një takim në prag të Samitit të Shkupit.

Aleksandër Vuçiç ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga takimi të cilin e konsideron si një hap të madh për të ardhmen.

“Ky është një hap i madh për të ardhmen. Bashkëpunimi politik dhe mes njerëzve sjell stabilitet dhe shumë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”, shprehet Vuçiç.

Me tej, Presidenti serb thotë se marrëveshjet do të kenë të bëjnë me “agjendën jeshile” në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të tërheqin më shumë investime dhe të krijojnë një treg të përbashkët.

“Ne kemi plane të përbashkëta për agjendën e gjelbër, ide se si të përdorim industrializimin e vendeve tona dhe të tërheqim më shumë investitorë, së bashku me një treg unik të punës. Gjëra të mëdha dhe të rëndësishme për të gjithë ne! Të gjitha do të forcojnë kombet tona, ekonomitë tona dhe kështu do të sigurojnë një standard më të mirë jetese për njerëzit tanë”- shprehet ai.

Ndërkohë nga ana e tij, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev thotë se gjatë Forumit Ekonomik do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal që do të mbahet për herë të parë në Shkup.

 “Shikimi ynë është përpara, për një të nesërme më të mirë, për zhvillim dhe rritje ekonomike dhe mirëqenie për popujt tanë”, shprehet Zaev në një postim në Facebook.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: