Rrjedhjet në Tubacionet e Detit Baltik Nord Stream 1 dhe 2, janë bërë si pasojë e sulmeve, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck. “E dimë me siguri se nuk kemi të bëjnë me ndonjë defekt në material, por se me të vërtetë ka pasur sulme ndaj infrastrukturës, tha Habeck të martën në Berlin.

Të hënën ishte vënë re një rënie e papritur e presionit në dy tubacionet e Detit Baltik Nord Stream 1 dhe 2. Sipas autoriteteve suedeze dhe kompanisë operuese NordStream AG, tre rrjedhje u konstatuan në tubacionet e zonës ekonomike detare daneze dhe suedeze – dy rrjedhje në Nord Stream 1 në verilindje të ishullit danez Bornholm, një rrjedhje në Nord Stream 2 në juglindje të ishullit.

Shpërthime në tubacione

Të hënën, një sizmograf në Bornholm regjistroi dy dridhje – një herë në orën 2 të mëngjesit me kohën lokale dhe përsëri në orën 19:00, njoftoi të martën qendra kërkimore gjermane GFZ. GFZ tha se nuk ka të dhëna që në këtë zonë të ketë pasur tërmet. Bjorn Lund i Qendrës Sizmologjike Suedeze në Universitetin Uppsala i tha kanalit televiziv SVT: “Nuk ka dyshim se këto ishin shpërthime”.​​

Dänemark | Gasleck in der Pipeline Nord Stream 2
Një fotografi e marrë nga ushtria daneze pranë ishullit të Bornholmit, në Danimarkë

Fotot e marra nga ushtria daneze tregojnë zona me flluska të mëdha në sipërfaqen e ujit, që burojnë nga tre rrjedhjet në zonat ekonomike detare të Suedisë e Danimarkës dhe në veri të Polonisë. Zonat kanë një diametër prej 200 deri në 1000 metra.

Një hap përshkallëzimi?

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin rrjedhjet si akte sabotimi ose sulmi, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se janë “akte të qëllimshme”. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki i quajti rrjedhjet një akt sabotimi që “ndoshta shënon hapin e ardhshëm të përshkallëzimit të situatës në Ukrainë”. Kryeministrja në largim e Suedisë Magdalena Andersson tha se “ka pasur shpërthime”, megjithëse ministrja e Jashtme, Ann Linde tha se nuk do të “spekulojë mbi motivet apo aktorët”.

Edhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen tha se rrjedhja kishte ndodhur për shkak të një “sabotimi”. Ajo paralajmëroi “përgjigjen më të fortë të mundshme” ndaj çdo ndërprerjeje të qëllimshme të infrastrukturës energjetike evropiane.

Jo akt agresioni

Tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike muajt e fundit pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Evropë, sipas gjasave, në shenjë hakmarrjeje kundër sanksioneve perëndimore pas pushtimit të saj në Ukrainë.

Kopenhaga pret që rrjedhjet në tubacionet, të cilat janë plot me gaz, por jo funksionale, të zgjasin “të paktën një javë” – derisa të mbarojë metani që del nga tubat nënujorë. Si Danimarka, ashtu edhe qeveria suedeze thanë se nuk e konsiderojnë këtë si një akt agresioni, duke qenë se ngjarjet ndodhën jashtë ujërave territoriale të saj, në zonat ekonomike të administruara prej tyre.

Rusia vetë ka thënë se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për rrjedhjet. I pyetur nga gazetarët nëse mund të jetë një akt sabotimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se për momentin “është e pamundur të përjashtohen çdo opsion”. Ukraina tha se nuk ishte asgjë më shumë se një sulm terrorist i planifikuar nga Rusia dhe një akt agresioni ndaj BE-së./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb