I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” ishte autori dhe instrumentisti i njohur Ervin Gonxhi, i cili ndër të tjera foli për bashkëpunimet që ka patur me vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti.

Kënga më e fundit që ata kanë realizuar bashkë është “Nëna”, e cila u publikua vetëm disa javë më parë. “Nëna”, me orkestrim të Ervin Gonxhit, është një këngë e ndjerë që vëllezërit korçarë ia kanë dedikuar nënës së tyre por në të njëjtën kohë është një himn për të gjitha nënat.

“Jam me fat që i kam miq në jetën time”, tha ai, teksa tregoi se Endri dhe Stefi demon e këngës e kishin çuar që para pandemisë në studion e tij. Ervin Gonxhi tha se është e çuditshme se si këngët e bukura qëndrojnë për disa kohë në studio duke marrë në një farë mënyre kohën e tyre për të dalë më pas në momentin e duhur.

Ervin Gonxhi vjen nga një familje artistësh ku gjyshi i tij është Tahir Baçova, “Artist i Merituar” i Cirkut të Tiranës. Ai u shpreh se familjarët e kanë drejtuar drejt rrugës së artit. Ervin Gonxhi e cilësoi instrumentin e violinës si dashurinë e tij, teksa tregoi se mësimet për të i ka nisur në klasë të parë, më pas në klasën e pestë u fut për klarinetë, për t’ju rikthyer disa vite më vonë sërish violinës dhe për mos t’u ndarë më prej saj.

Artisti u shpreh se çdo gëzim dhe hidhërim ata kanë mundësi ta shprehin me anë të instrumenteve që luajnë dhe muzikës që bëjnë.

Ervin Gonxhi është i martuar dhe ka krijuar një familje shumë të bukur. Ervini është bekuar me një djalë, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Eran. “Jeta ime ka ndryshuar që kur njoha Anjezën. Jam shumë i lumtur për familjen që kam”.

Ervin Gonxhi tha se projektet muzikore të cilat pritet të vijnë për publikun janë fatmirësisht të shumta, përfshi edhe bashkëpunime, dhe ai s’mund të jetë më i lumtur se kaq.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: