Nga: BLENDI FEVZIU*

Deri në 14.00 të drekës rrinim në diell dhe prisnim të vinin amerikanët! Mbërthenim e zbërthenim kallashnikovët, vajisnim armët dhe bëheshim gati me sytë nga qielli të dallonim desantët që donin të pushtonin Shqipërinë socialiste. Po amerikanët nuk vinin. As e kishin në mend fare. Pasdite dilnim në xhiro dhe luteshim kush kishte mundësi të na jepte ndonjë kasetë me muzikë amerikane që ta dëgjonim fshehtas”. Ky postim i një shoku të vjetër të gjimnazit për ditët e zborit (shërbim ushtarak që bënin në vitet e komunizmit, nxënësit e shkollave të mesme e të larta) m’u kujtua dje, ndërsa shihja një foto të mrekullueshme, në të cilën disa kubanezë me kokën lart në qiell ndiqnin avionin “Air Force One”, që ulte në aeroportin e Havanës, Presidentin Obama.

Obama vizitoi Havanën në një atmosferë shumë të ngjashme me atë të Shqipërisë së viteve të komunizmit. 25 vite pas rrëzimit të kësaj ideologjie dhe konfirmimit të saj si një dështim total, që prodhoi mungesë lirie, represion dhe uri, Kuba dhe Koreja e Veriut kanë mbetur të vetmet fosile të një kohe tashmë të largët. Janë të vetmet produkte të luftës së ftohtë, që jetojnë ende në atë kohë dhe fare jashtë sfidave të reja me të cilat përballet bota. Për 57 vite, që nga revolucioni i vitit 1959, Kuba ka qenë një armike e hapur e SHBA-ve. Ajo ka prodhuar aq shumë propagandë kundër Amerikës dhe ka ngritur gjithë filozofinë e ekzistencës së saj politike mbi bazën e përballjes me të.

Ashtu si Shqipëria e Enver Hoxhës, Kuba ka jetuar me idenë e sulmit amerikan dhe është përgatitur gjatë për të. E gjithë propaganda, të gjitha investimet, e gjithë filozofia e shoqërisë ishte si të mbrohej nga SHBA-të. Në muzeun e revolucionit, një lloj modeli i ngjashëm me muzetë tona të dikurshme, gjithçka i thurte lavde rezistencës ndaj Amerikës. Kubanët ishin shtyrë të besonin se çdo e keqe vinte nga Amerika. Ndërkohë, tej propagandës komuniste, thuajse 1 milion kubanë jetonin në bregun përballë në shtetin e Floridës. Pothuajse çdo familje kubane kishte një të afërm në SHBA. Në Havana, asnjë prej njerëzve që kam takuar nuk fliste keq për Amerikën.

Njerëzit e dinin tanimë se propaganda nuk kishte vlerë dhe parullat e shkruara në mure që tregonin se sa frikë Jankitë kishin Kuban nuk entuziazmonin më askënd. Dje, mbërritja e Obamës ka hedhur poshtë thuajse 6 dekada propagandë. Ashtu siç ndodhi me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Bejker, në Tiranë në qershor 1991 (edhe pse në rrethana të ndryshme, pasi partia-shtet është ende në fuqi në Kubë), popullsia e Havanës ka qenë tejet mikpritëse dhe entuziaste. Ndër shumë gjëra të tjera, vizita dje ka dëshmuar se propaganda false dhe e pavërtetë nuk është kurrë rezultative; se tentativa për të injektuar diçka që nuk ekziston, mund të ketë sukses përkohësisht, por në finale është e dështuar dhe e turpshme. Në fakt, dje kanë folur të gjithë për Amerikën dhe Obamën, por në asnjë shkrim nuk përmendej dhe ishte harruar Fidel Kastro. Edhe pse ende gjallë, atij i kishte vdekur dje e gjithë filozofia politike. Filozofia që mbajti të mbyllur, peng dhe në uri, një popull të tërë.
Marrë nga Opinion.al
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: