Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për frikën nga koronavirusi. Mjeku Kalo tha se Shqipëria ka marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur nga ky virus, ndërsa shton se nuk ka aspak vend për panik.

Duke sqaruar rastin e një qytetareje të shtruar në spital, e cila u dyshua si prekur nga ky virus, mjeku infeksionist deklaroi se personit në fjalë i është bërë gjithë diagnoza dhe nuk ka rezultuar të jetë prekur.

“Nëse brenda 14 ditëve shfaqin simptoma, si kolla, vështirësi në frymëmarrje, duhet patjetër të informojnë autoritetet, ku po shkojnë. Siç ndodhi në Itali, ku vetëm personat njoftuan autoritetet dhe po mbahen në izolim. Edhe te ne, në 32 pikat e kufirit nga ajri, deti dhe toka, janë ngritur njësi funksionale, ku nëse njoftohen për njerëz të prekur, ai menjëherë kalon në dhomën e karantinimit, ku do të intervistohet dhe kontrollohet. Spitali Infektiv ka dy dhoma izolimi, edhe për të sëmurë me epidemi të tjera. Janë dhoma të pajisura me gjithçka, në mënyrë që pacienti të mos ketë arsye të dalë. Edhe personeli është i mirëtrajnuar.

Është një qytetare, mbi moshën studentore. Është kthyer javët e fundit nga Kina dhe meqë ka zhvilluar shenja klinike dhe njoftoi që ka qenë në Kinë, brenda disa orësh u diagnostikua. Rezultoi se nuk kishte virus, as nuk u fut në terapi intensive. Personeli rrezikon 100% në këto raste, në Kinë kanë vdekur dy mjekë, në Francë është infektuar një mik i imi, por është mirë. Por, këtu te ne çdo gjë është e mirëtrajnuar. Kjo qytetare ka grip B. Aktualisht në vend po qarkullojnë tre lloj virusesh, mes tyre edhe ky B, që ka infektueshmëri më të ulët se virusi A. Ky ishte një rast, që mund të ishte infektuar edhe në Kinë”, tha Kalo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb