Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur të enjten në Prishtinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e njërit prej të plagosurve.

“Katër persona janë sjellë në emergjencë, përkundër kujdesit maksimal nga stafi mjekësor njëri ka vdekur, pasi që nuk ka arritur t’iu shpëtojë plagëve, kurse tre të tjerët janë duke u ekzaminuar nga stafi mjekësor i Klinikes Emergjente”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në njoftimin e Policisë është thënë se ngjarja ka ndodhur ne rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë, ku policia ka pranuar informata se ka të shtëna me armë zjarri. “Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat kanë hasur në katër persona të plagosur. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë konfirmuar për mediat se tashmë kanë arrestuar dy persona lidhur me rastin dhe kanë konfiskuar dy armë zjarri, një me tytë të shkurtër dhe një me tytë të gjatë. Siç kanë thënë ata, në incident dyshohet se janë përfshirë dy familje, të cilat pretendohet se banojnë në të njëjtën ndërtesë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb