NGA ERJOLA JATA*

FIER- Një fshat me afro 2500 banorë, ku krenaria e autoboteve me naftë, duket se u ka ulur kokat, kur fshati Marinzë në të gdhirë të 1 prillit do të prodhonte një ngjarje që si për ironi në një ditë me atë të gënjeshtrave, do të ishte e vërtetë, një e vërtetë e frikshme për të cilën banorët do të kishin lutur Zotin të mos ndodhte më kurrë.

Në një fshat që ka ndërtuar jetën prej vitesh. Aty ku banorët kanë gjithçka: banesat, shkollën për fëmijët, shtëpinë e Zotit ku mund ti drejtohen sa herë kanë fatkeqësi. Këta banorë kanë edhe arin e zi, i cili u lëshua mbi ta i tërbuar se një pushtues i huaj që nuk i përkiste këtij fshati ia prishi qetësinë dhe përtej saj.

Fshati, brenda pak minutash u bë kryefjala e ditëve, për të njëjtën problematike për të cilët banorët thonë se është e mbartur prej vitesh. Shpërthimi si prej vullkani u kthye në panik për banorët, kur gjumin ua prishi dhe fëmijëve u rrëmbeu ëndrrat. Një oaz trishtimi mëngjesin e ditës së parë të muajit. Gazi dhe nafta pushtuan tokën dhe qiellin.

Në hyrje të fshatit një rrugë e ngushtë, tregon dhe mungesën e investimeve prej vitesh në Marinzën e harruar, një nga 4 fshatrat e komunës Kuman të Fierit.

10 km larg nga qyteti i Fierit fshati u lëkund dy herë pas shpërthimit të dy puseve të gazit të kompanisë kanadeze Benkers Petroleum. Kjo e fundit shfrytëzon pasuritë nëntokësore në këtë fshat që prej vitit 2004.

Sot pas disa ditësh nga shpërthimi vendi i veshur në gri tregon një panorame të trishtë për hallin që u ka rënë banorëve. Frikën që ata kanë çdo ditë dhe natë që kalon. Të varfër, por dhe të kafshuar nga paniku, pas tronditjes që ata kanë pësuar apeli që bëjnë është “Largimi sa më parë nga ky fshat”. Për ta e nesërmja është më e frikshme se e sotmja.

Banorët thonë se nuk kanë pasur takim me përfaqësues të kompanisë Bankers Petrolium. Nga ana tjetër përfaqësuesja e komunitetit në këtë fshat, shprehet se nga takimi që vetë ajo personalisht ka patur me përfaqësues të kompanisë, nga kjo e fundit është dhënë dakordësia për shpërnguljen nga ky fshat të banorëve, por kjo pasi të jetë vendosur nga qeveria. Përveç dëmit material shqetësim për banorët është edhe gjendja shëndetësore si rezultat i ndotjes. E në fakt ajri i rëndë nga era e naftës nuhatet që në krye të rrugës. E kur kjo situatë shkon deri në anormalitet, e kur fshati të keqes i ka hapur derën, në ambulancën e fshatit dyert i gjetëm të mbyllura. Fëmijët kanë ditë që nuk shkojnë në shkollë. Të vegjël për të kuptuar si do ju vejë halli, por të rritur për ta ndjerë tronditjen prej ankthit. Ata japin apelin vetëm me një fjalë. Ajo që u bë nuk çbëhet. Por ajo që kërkohet të bëhet pas kësaj është rikthimi në normalitet dhe apeli i bërë nga banorët kësaj here të mos shkojë në vesh të shurdhët. Humbësit më të mëdhenj të këtyre situatave janë më të dobëtit. E ardhmja e tyre vihet në kandar. Sa peshon për fëmijët sot kjo pasiguri jete?

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: