Fëmijët janë prioriteti më i lartë dhe motivi më i fortë për prindërit, por shpesh histori të ndryshme njerëzore tregojnë për fat të keq se si shkak i egoizmit të rriturit bëjnë zgjedhje të gabuara.

I tillë është dhe rasti që sjell Flogerta, nëna e 3 fëmijëve, në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News 24.

Pas një martese të vështirë disa vjeçare dhe ardhjes në jetë të 2 vajzave dhe një djali iu desh t’i jepte fund e të kërkonte divorcin. Arsyet ishin të shumta thotë ajo, por ato që dominojnë janë akuzat e pavërteta për tradhti dhe dhuna fizike e psikologjike.

Divorci u bë 2 vite më parë e gjykata vendosi që t’i ndajë fëmijët, vajzat ja la në kujdestari nënës, ndërsa djalin babait.

Flogerta thotë se kanë kaluar kaq shumë kohë dhe ai përveçse nuk paguan pensionin ushqimor për të bijat, nuk lejon që ajo si nënë të takojë të birin 13 vjeçar.

Madje ka arritur deri atje sa nuk e lejon djalin të takohet edhe me motrat e tij. Në të tilla kushte pasi ka denoncuar edhe në organet e policisë e nuk ka gjetur një zgjidhje, ajo bën një apel publik që të takojë të birin pasi asnjë nënë në botë nuk mund t’i mohosh të drejtën për të parë e takuar birin e saj.

“U njohëm kur isha 16 vjeç, shkova në Greqi të jetoja me tim shoq, aty erdhën në jetë edhe tre fëmijët tanë, dy vajzat dhe djali. Por jeta atje mu kthye në një ferr. Im shoq më akuzonte për tradhëti vazhdimisht, më dhunonte gjithashtu. Koha kalonte dhe ai fiksohej më keq. Nuk munda ta detyroj më këtë situatë”,- rrëfen Flogerta në studion e emisionit.

Aq i fiksuar ishte bashkëshorti thotë ajo, sa kishte detyruar dhe babain e saj ta ruante.

“Aq shumë ka sajuar ndaj meje sa edhe babai im ka nisur të më ruajë. Unë s’kam asgjë për të fshehur, por babi tani më ka thënë se më ka ruajtur për shkakun e tij, sigurisht pa gjetur asgjë të dyshimtë tek unë”, thotë më tej gruaja që me të drejtë kërkon të shohë sot djalin e saj të vetëm, tani 13 vjeç.

Ajo thotë se që prej asaj kohe nuk flet më me të atin.

Flogerta ka marrë 3 urdhëra mbrojtje gjatë jetës së saj, për shkak të dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti, e më pas vendosi t’i japë fund asaj martese.

Ndërsa tregon vuajtjet, 31-vjeçarja thotë se e ka gjetur paqen tek feja. Disa kohë ajo madje ka qënë e mbuluar edhe me shami.

“Shaminë e kam hequr para dy vitesh. U lodha nga të gjitha padrejtësistë që kisha në jetë. Besimin e kam akoma, por pavarësisht se isha e mbuluar unë mbeta në dyert e policisë. Aty thashë është më mirë beso në Zot, se sa të jesh e mbuluar. Ai s’ka pasur fakte kurrë, veçse më ka akuzuar. Sa për tradhti, ka qënë ai që më tradhtonte. Madje edhe djali e ka parë një fakt të tillë”,-rrëfen Flogerta.

Ndërsa është divorcuar para pak kohësh, Flogerta thotë se sot ka nisur një jetë të re, me një tjetër burrë, i cili mbi të gjitha respekton atë dhe dy vajzat e saj. Problemi që ajo ka sot dhe për të cilin apelon është djali, pasi ish-bashkëshorti ia ka ndaluar ta takojë.

“E merrja djalin në telefon, por ai e kërcënonte, i thoshte të mos fliste me mua. I thotë gjërat më të rënda për mua. I thotë nëse do të takojë ty biri im, le të ndahet me burrin tjetër”,- tregon më tej Flogerta.

Gruaja shton se i biri ndjehet shumë keq në familjen që edhe ish-bashkëshorti ka krijuar. “Ai qan shpesh, pasi njerka nuk sillet mirë me të. Ndaj dua ta takoj. Nuk mund ta duroj më kët% situatë”,- thotë ajo ndër të tjera.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb