Partia Socialiste zyrtarizoi dje kandidaturat për 61 bashkitë e vendit, ku emri që ngjalli edhe reagimin më të madh të gazetarëve që po prisnin në selinë e PS-së ishte ai i kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu.

Kjo për faktin se Topçiu kandidon për një mandat të shtatë në këtë bashki, një rekord ky për të zgjedhurit vendosë në Shqipëri.

Sipas drejtuesit politik të Korçës, Niko Peleshi, arsyeja e kandidimit të Topçiut sërish është fakti se Maliqi ka nevojë për një menaxher si ai.

“Kemi shumë figura në këtë bashki, por Gëzim Topçiu është kampioni i shërbëtorit ndaj qytetarëve. Në bashkinë e madhe të Maliqit në fakt ka vetëm dy mandate. Është një nga kampionët e punës dhe jam shumë i bindur që nuk do të jetë thjesht një mandat i ri me të cilin jemi mësuar, por do të jetë një mandat ku do të kemi projekte të mëdha. Maliqi ka nevojë për një menaxher si Gëzim Topçiu”, u shpreh Peleshi.

Por teksa kryebashkiaku i Maliqit kandidohet për herë të shtatë, dy kryebashkiakë të tjerë në Fier do të jenë të detyruar të hapin krahun për shkak se kanë marrë nga tre mandate.

Rajmonda Balili në Patos dhe Fredi Kokoneshi në Divjakë morën mbrëmë vlerësimet e Taulant Ballës për punën e bërë, por pas tre mandatesh, sipas tij, ka nevojë për energji të reja.

“Falënderoj dhe vlerësoj shumë punën që ka bërë deri tani në Patos Rajmonda Balilaj. Edhe në Patos shumë më mirë është punuar, ndërkohë që nuk ka asnjë dyshim pse Rajmonda nga viti 2011 në këto 3 mandate ka bërë një punë të shkëlqyer. Por për shkak se mendojmë që 12 vite në krye të kësaj bashkie kanë qenë mjaftueshëm, në kryesi në mënyrë unanime u ra dakord që të shkojmë për një kryetar të ri, Fation Duraj, një inxhinier me shumë energji të reja”, tha Balla për kryebashkiaken e Patosit.

Ndërsa për Divjakën ai u shpreh se “kemi pasur një diskutim, bazuar në të gjitha sondazhet. Fredi Kokoneshi ka drejtuar këtë bashki për 12 vite dhe bashkë me Erion Braçen kanë bërë një punë të shkëlqyer. Por për një mandat tjetër të padiskutueshëm në Divjakë, pas edhe diskutimeve me deputetin dhe kryesinë, u propozua dhe u miratua kandidatura e Josif Gorreas, bujku më i mirë shqiptar”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb