Një gjykatë izraelite ka dënuar një kolon hebre me burgim të përjetshëm për një zjarrvënie të qëllimshme në vitin 2015, ku një fëmijë palestinez dhe prindërit e tij u dogjën të gjallë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gjykata Qendrore në qytetin Lod dënoi kolonin Amiram Ben-Uliel me burgim të përjetshëm për shkak të vrasjes së anëtarëve të familjes Dawabsheh në zjarrvënien e qëllimshme të shtëpisë së tyre.

Në muajin korrik Riham dhe Saad Dawabsheh, si dhe fëmija i tyre 18-muajsh, u dogjën të gjallë kur kolonët i vunë flakën shtëpisë së tyre në fshatin Douma në Nablus.

Në atë kohë, qeveria izraelite e konsideroi incidentin një sulm “terrorist”, por udhëheqja palestineze dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzuan Izraelin se nuk është serioz në ndjekjen e sulmuesve.

Ben-Uliel u dënua për vrasje në muajin maj.

Gazeta “Jerusalem Post” tha se ekipi mbrojtës i kolonëve do të paraqesë një apel në Gjykatën e Lartë të Izraelit.

Nasr Dawabsheh, duke folur në emër të familjes së tij,  tha se vendimi nuk është “i mjaftueshëm”. Ai theksoi se do të drejtohen në Gjykatën e Lartë të Izraelit për të kërkuar heqjen e shtetësisë izraelite për kolonin hebre, si dhe prishjen e shtëpisë së tij.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb