Analisti Fatos Lubonja në emisionin ‘Open’ në News24 komentoi për fitoren e Xhorxhia Melonit në zgjedhjet që u zhvilluan në Itali.

Lubonja tha se një pjesë e qytetarëve ia dhanë votën edhe si votë ndëshkimi për klasën tjetër, duke shtuar se kjo është një formë e demokracisë. Gjithashtu Meloni është përfolur se nuk ka diplomë, gjë për të cilën Lubonja tha se në debate kjo thuajse nuk është përdorur fare.

“Në Itali kjo nuk është bërë armë e opozitës. Unë i kam ndjekur debatet dhe nuk është përmendur thuajse fare. Talenti politik është një gjë tjetër… Nuk është në Perëndim ky problem. Tek ne është më shumë sepse duam formën por përmbajtjen nuk e shohim. Për mua ka fituar sidomos që nuk hyri në qeverinë Draghi. Vota që ka marrë kjo është votë ndëshkuese. Italianët ndëshkojnë. 50% e italianë janë kundra luftës. Një pjesë ia dhanë votën asaj edhe si votë ndëshkimi për klasën tjetër dhe demokracia e ka këtë. Italia ka qenë një sistem ku PD e famshme ka qeverisur duke qenë në minorancë 10 vjet. Pra Meloni duke qëndruar opozitë mori simpatinë e të gjithë atyre që ishin të lodhur. Ishte triumf i një sistemi neoliberal ku edhe e majta u dorëzua pas Luftës së Ftohtë dhe shkoi djathtas, në Itali veçanërisht. Njerëzit e majtë më radikalë, janë shumë të pakënaqur dhe kur fitoi ‘Pesë Yjet’, fitoi radikalët e majtë. Pra ka një fenomen në botë i bashkon Melonin, Le Penin. Melonin nuk e konsideroj antisistem dhe Meloni në programin e saj ekonomik është kundër asistencës, sepse është liberale, nuk është as e djathtë sociale”, tha më tej Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb