NGA FATMIRA NIKOLLI
Prof. Dr. Irakli Koçollari në vëllimin e parë me dokumente mbi Ali Pashë Tepelenën nën titullin “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës”, ka sjellë dokumente mbi një kryengritje të panjohur të shqiptarëve të Dangëllisë më 1802. Koçollari thotë se në fondin e arkivit të Ali Pashës gjendet edhe një grup prej tetë dokumentesh që i takon vitit 1802, dhe shtrihen nga muaji shkurt gjer në muajin shtator të këtij viti.

Gjer tani të panjohura, janë informacione të dërguara nga komandantë ushtarakë të Ali Pashës, të cilët janë dërguar me mision, së bashku me forca të tjera nga Porta e Lartë, që të shtypin një kryengritje që ka shpërthyer në ato anë. Por cilët janë kryengritësit, që asokohe gjendeshin, ndoshta përkohësisht në rrugë e sipër apo ishin vendosur e pozicionuar në territoret e Bullgarisë së sotme, që me fuqinë e tyre kanë tronditur Turqinë? “Çuditërisht, ata janë Dangëllias, pra shqiptarë nga krahina e Dangëllisë apo Frashërit – Përmet! Duket se numri i tyre ka qenë i madh”, – thotë Koçollari.

“Nga dokumentet kuptohet se ata kanë emigruar nga atdheu i tyre dhe ndoshta janë ende në shtegtim e sipër, për t’u vendosur mandej në territore që janë jashtë zotërimeve dhe juridiksionit të Perandorisë Osmane – ndoshta në tokat e lira kufitare me Bullgarinë e sotme, pra në Ukrainë, apo Odesa, që asokohe ishin nën zotërimin rus”.

“Në këtë front luftimesh, në zbatim të urdhrit të Sulltanit, ashtu sikurse edhe pashallarët e tjerë ballkanas, Ali Pasha ka dërguar një forcë ushtarake prej ndoshta një mijë burrash, me në krye Myftar Pashën, të birin e tij. Duke iu referuar dokumentit të parë që mban nr. 124, dhe datën 2 mars 1802, mësojmë se gjenerali, Hakik Pasha – Rumeli Valeshi, është ngarkuar nga Sulltani si komandant i të gjitha forcave të aleancës osmane, për të drejtuar operacionet ushtarake kundër Dangëlliasve. Ai ka marrë të drejtat e mobilizimit edhe të forcave të tjera në Rumeli e më gjerë kundër këtyre kryengritësve”, – thotë Koçollari.

Ai bën me dije se kërkesës për përforcime, Ali Pasha i është përgjigjur se do të mobilizojë trupa nga krahinat e Grevenasë (Greqi), Sarigolit (Greqi) dhe Edhesës (Greqi). Por, Veliu në sqarim të njoftimeve të të atit bën me dije se: “Murati (dëshira) për të halevo (për të përzgjedhur, turq.) asqerë (ushtarë) të tjerë shtesë për frontin kundër Dangëlliasve është që ata të jenë arvanitas (shqiptarë) dhe të mirë,… pasi të mobilizuarit e tjerë (nga krahinat jo shqiptare IK) nuk para pëlqehen… sepse konsiderohen….”

Nënteksti i kërkesës së autoriteteve osmane në këtë rast, për të sjellë në front reparte luftëtarësh shqiptarë, është i qartë. Kërkohen këta trupa pasi vlerat dhe aftësitë për luftë të shqiptarëve kanë qenë të njohura kudo. Dhe letra mbyllet si më poshtë: “Por, shqetësuese është se asqerët e tij janë rebeluar dhe nuk duan të bëjnë detyrën (të shkojnë në frontin e luftimeve, kundër Dangëlliasve).”
Ai shton se, siç do të shohim edhe më poshtë, mosbindja e trupave po ndodh, se një numër repartesh që kanë shkuar kundër “Dangëlliasve” janë edhe ata shqiptarë dhe nuk duan të ndeshen me bashkatdhetarët e tyre.

Në këtë dokument, është një e dhënë me interes të veçantë: të mobilizuarit në Pashallëkun e Janinës janë shqiptarë, ashtu sikundër edhe kryengritësit në frontin përballë tyre, Dangëlliasit janë shqiptarë. Në këto rrethana, shqiptarët e vendosur përballë njëri-tjetrit, në të dyja anët e fronteve të luftimit, nuk pranojnë të ndeshen dhe përgjaken me njëri-tjetrin, pasi sikundër thuhet, ata merren vesh me njëri-tjetrin.

SHQIPTARËT NË ODESË
Profesor Koçollari, vëren se nga një analizë e këtyre ngjarjeve të panjohura, duket se konfigurohet origjina e komunitetit të njohur shqiptar, i cili banon në territoret përreth Odesës. “Ky grup i identifikuar etno-kulturor ka mundur të mbijetojë dhe të identifikohet qartas me gjuhën, zakonet, traditat dhe folklorin e tij gjer vitet e fundit.

Duket se ka qenë pikërisht kjo mërgatë nga Dangëllia, që është vendosur në territoret e kontrolluara nga rusët pikërisht në Odesa, në Ukrainën e sotme, të cilët formuan vendbanimet e tyre në një komunitet prej gati shtatë fshatrash”. Ai shënon se një pjesë tjetër, nuk përjashtohet të jetë vendosur në qytetin e Odesës, vendbanim ky që i pati dhënë edhe emrin rrugës ku ata qenë vendosur, “Allbanski Ulica” (“Rruga e Shqiptarëve”).

Sipas tij, këtë emërtim kjo rrugë e ruajti gjer aty nga viti 1990, kohë kur ndryshimet politike në atë vend, sollën edhe ndryshime të emërtimeve të infrastrukturës. “Ndoshta për këta emigrantë shqiptarë, na flet edhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj rusë, Aleksandër Pushkin, në veprën e tij ‘Vajza e Kapitenit’, i cili kishte pasur rastin t’i shohë personalisht ndërsa është mrekulluar me veshjet e tyre karakteristike, fustanellat, jelekët e qëndisur me ar etj. Ky komunitet ka ruajtur gjer në ditët tona identitetin e tij si ‘allbanci’ (shqiptarë) dhe në regjistrimet e fundit (2014), në kohën e konflikteve në Ukrainë u shpall se numri i tyre ishte rreth 6.000 vetë”, – thotë profesor Koçollari në librin e tij “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës”. Në vitin 1954, disa studiues të Institutit të Historisë dhe Folklorit të Shqipërisë, qenë të parët që shkuan në vendbanimet e këtij komuniteti në rrethet e Odesës dhe studiuan trashëgiminë e tyre kulturore, gjuhën, zakonet, kostumet etj.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb