Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, ka analizuar ngjarjen e paprecedentë dhe vendimin për të shembur në mënyrë të paligjshme ‘Prestige Resort’. Ai u shpreh se ndihet i shqetësuar për atë çfarë po ndodh në vend dhe atë çfarë mund të vijë në vijim në Shqipëri.

“Jam i shqetësuar për një Shqipëri që po vjen. Një Shqipëri që më tremb për ngjarjet që po vijnë, dhe shqetësimi im është i tipit sepse së pari është një sulm ndaj një biznesi, nuk ka informacion dhe nuk i jepet kohë ose nuk ka një mbrojtje apo reagim nga institucionet, dhe frika për investimet afatgjatë”, tha ai.

Lidhur me reagimin e policisë, e cila prej mbrëmjes së djeshme ka rrezuar resortin dhe nuk ka lejuar që askush të afrohet, qoftë dhe përfaqësuesit ligjor të biznesit, Softa e cilëson të paligjshëm.

“Ky aksion është një aksion nga më të mëdhenjtë, ku ka disa struktura, policia, IKMT dhe forcat xheniere. Ka një perimetër sigurie rreth 1km që nuk lejohen të futet askush për ta mbajtur larg syrit të publikut. Për aq kohë sa i takojnë një strukture tjetër, do të thotë se ka bashkëveprim nga disa institucione, dhe ky plan masash duhet të firmoset nga disa, nuk mund ta marrin në dorë”, shprehet ai.

Më tej shton se edhe nëse edhe nëse vendimi për shembjen e këtij objekti do ishte i ligjshëm, është e detyrueshme që institucionet të njoftojë dhe t’i japin kohë investitorit që të heqë një pjesë të investimeve që ka bërë.

“E dyta, kur e shikon atë strukturë që po rrënohet, aty ka para të hedhura, dhe duhej ti jepej kohë çdo investiori për të hequr pajisjet apo mobilet. Ky lloj nxitimi është pa i çuditshëm.  Nga sulmi i parë në sulmin e dytë, ka ndodhur diçka. Ka një sjelle të dyfishtë për kullat e konstatuara nga vetë qeveria, ku nuk u përmend asnjë rast për shembje ndërtesë pa leje. Ligji i legalizimeve do të thotë legalizim i të gjitha strukturave në një afat të caktuar”, tha ai.

Softa thotë se kjo sjellje e institucioneve është anormale, pasi nuk mundet që në shtator të shemben pishinat si ndërtim pa leje, dhe më pas të pretendohet për të gjithë objektin, pasi sipas tij nëse institucioni zbret në një objekt, bën vlerësimin për të gjithë godinën.

“Është sjellje anormale sepse një institucion që zbret në një strukturë, bën kontrollin e të gjithë dokumentacionit. Nëse kjo do ishte konstatuar duhej njoftuar dhe lënë kohë në dispozicion. Të reagonte edhe gjykata. Ky është një shqetësim sepse në një vend ku nuk funksion gjykata, është i rrezikshëm. Kjo është një nga investimet më të bukura të bregdetit. Së pari koha duhet të jepet dhe gjykatat duhet t’i kthehen detyrave të tyre, se ndryshe për çfarë shteti po flasim?!”, tha ai.

Duke parë këtë aksion të paligjshëm dhe arbitrar, eksperti thotë se duhet të jemi të trembur për të marrë iniciativa për të investuar, si investitorët vendas, ashtu edhe ata të huaj, pasi nuk ka siguri.

“Nga ky moment duhet të jemi të trembur se për çfarë institucionesh po flasim?! Nëse unë marr një iniciativë për të futur një investim të madh të huaj, unë do jem në një takim në Romë me disa investitor për t’i ftuar për të investuar në Shqipëri, por të them të drejtën jam i sikletosur sepse nuk di nëse këto ka një transparencë. Kush e drejton aksionin duhej të dilte dhe të fliste për atë çfarë po ndodh… duket sikur nxitohet dhe ai territor i duhet dikujt, kështu duket. Duket sikur duan të tërheqin vëmendjen, të largojnë vëmendjen nga protesta e opozitës, nga samiti… Shqipëria është në qendër të vëmendjes dhe patjetër që duhet të jetë, por jo për gjëra negative”, shprehet ai.

Ai thekson se policia nuk mund të ndërhyjë në një objekt privat, pas pasur një dokumentacion nga institucionet, që vlerëson si të ligjshëm aksionin, që në rastin konkret nuk rezulton të ketë asnjë shkresë zyrtare për këtë sulm.

“Policia e shtetit është një mekanizëm në funksion të strukturave shtetërore, por në radhë të parë të qytetarëve. Patjetër që vepron mbi një plan masash të miratuar, por duhet të jetë e informuar për të parë nëse ky aksion është i ligjshëm apo jo, sepse nuk mund të bëhet palë e një aksioni të paligjshëm. Nëse rezulton më vonë që është aksion i paligjshëm, do të ketë dhe pasoja. Policia e shteti nuk mund të hyjë në një ambient privat pa pasur një dokumentacion nga gjykata, prokuroria apo nga disa institucione që vërtetojnë ligjshmërinë e një aksioni”.

Sipas tij nga ajo cfarë shihet, qartësisht kuptohet se nuk po goditet resorti, por media dhe linja editoriale.

“Isha sot me disa të huaj, dhe ata më pyetën se çfarë po ndodh? Pse po prishet hoteli? Nuk është një hotel që po shembet, por një strukturë apo diçka që po ndodh në shumë drejtime. Pra godasim pishinat  për të goditur median, pra janë mesazhe”.

Ndërkohë, sa i takon faktit se në krye të këtij operacioni është një person me precedent të mëparshëm penal, si Fatmir Metaj, eksperti tha: Nuk mund të gjykoj këtë aksion dhe këta njerëz që janë në këtë aksion, unë dua të gjykoj në tërësi institucionet. Nuk është vetëm ky rast, është i gjerë. Fakti që ka kryetar bashkie që kanë qenë me rekorde kriminale dhe kanë ardhur në mënyrë të korruptuar, e njëjta gjë ka ndodhur me punonjës në OST si rasti i drogës në Fier, pra tregon që ka nevojë për filtër në institucione.

Por a është e ligjshme që një leje e dhënë të anulohet pas disa vitesh?

“Një leje e dhënë e cila është zbardhur nuk mund të anulohet dhe nuk mund  të fshihet. Çdo gjë mund të bësh, por një leje është në duart e atyre personave që kanë nisur të bëjnë ndërtime, dhe nuk mund të anulohet. Nëse ne themi meqenëse është biznes dhe është për arsye fitimi dhe duhet ta shkatërrojmë, atëherë kësaj nuk di si t’i them, atëherë i bie që shkatërrojmë biznesin”, tha eksperti.

BalkanWeb 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb