Nga: Shefqet Deliallisi*

Një letër e shkruar në 10 tetor të 1930-ës, kërkon bursë për Lasgush Poradecin. Letra është shkruar nga Filip Papajani, mik i Nosit dhe i Lasgushit, shkrimtar, gazetar e atdhetar. Ministria e Arsimit të kohës i ka hequr bursën poetit, ndërkohë që ky i fundit ka përgatitur një doktoraturë prej 600 faqesh, të cilën duhet ta mbrojë në Austri. Koha ka treguar se Lasgushi e ka mbrojtur, por kjo letër në të cilën i kërkohet Lef Nosit të ndërhyjë pranë qeverisë, ose pranë Mit’hat Frashërit që bursa ti rikthehet hedh dritë mbi atë çfarë ndodhte atë kohë.
Në të, Papajani, i thotë mikut të tij se po harxhohen para (të kota) për duzina prefektë e nënprefektë, ndaj si nuk u gjetkan paratë për një vjershëtor, që të mbahet në mos me mish e pilaf, me bukë e me djathë?! Më poshtë letra që botohet për herë të parë.
Fort i dashuni Zoti Lef
Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djal letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin.
Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llasgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve. Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modestië me gjith që të gjithë ju çmojnë juve përkit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin e jetesës së një Llasgushi.
Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjith lloj armësh në disposition nuk u gjendka një burim jetese për Llasgushin tonë?
Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë. Ka njerëz që janë për dobië të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llasgushit. Mbasi Llasgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf ntombaren me bukë e me djath.
Zoti Lef jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe më fort në Hili (Hil Mosi- shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetënë Tiranë për të siguruë bursën e Llasgushit. Llasgushi, ashtë tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë.
Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llasgushit po qe se niset për Austrië. Zoti Lef lutem që të dihet Llasgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie. Kjo asht e vërteta. Llasgushi s’ka seç kërkon sot në Austrië.
M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër.
Për çështjen e Llasgushit mbesoj sigurisht se do të gjini për-krahjen dhe të Z.Mithat Frashëri.
Juaj me nderime
Filip Papajani
10.X.1930
Pogradec
FILIP PAPAJANI
Filip Papajani, atdhetar, mjek, publicist e shkrimtar, u lind në lagjen ‘Kala’ në Elbasan në vitin 1878. Pas mbarimit të shkollës së mesme filloi Fakultetin e Mjekësisë në Rumani. Atje u përfshi në lëvizjen patriotike për një Shqipëri të pavarur që drejtohej nga Princi Albert Gjika, rumun me origjinë të largët shqiptare, personalitet mjaft i dëgjuar në qarqet politike e letrare rumune të asaj kohe, vëllai i shkrimtares së njohur, Elena Gjika që njihet edhe si Dora d’Istria. Bashkëpunoi në gazetat në gjuhën shqipe që botoheshin në Bukuresht. Si patriot, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, vjen në atdhe së bashku me Asdrenin, me një delegacion të kryesuar nga Pandeli Evangjeli për të përkrahur Princ Vidin. Më 1919 u vendos në Elbasan ku punoi si mjek duke u shërbyer me përkushtim bashkëqytetarëve të tij, veçanërisht kur në Elbasan u përhap epidemia e kolerës dhe e gripit spanjoll. Vazhdon të shkruajë, dhe më 1921 themelon gazetën “Shkumbini”. Mbas vitit 1924 zhvendoset në Pogradec ku qëndroi derisa vdiq më 1945. Elbasani mbeti gjithmonë në zemrën e tij. Poemën plot mall e dashuri: “Elbasani” ja kushtoi qytetit te tij. Filip Papajani që në rininë e tij në Rumani ishte marrë me gazetarì. Në Bukuresht në 1913 boton poemën “Osman – Maria” ku dy të rinj me fe të ndryshme bien në dashuri. Ai frymëzohej e shkruante vjersha e tregime duke u renditur në shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare në fillim me pseudonimin “Rasa e bardhe” dhe më vonë deri sa vdiq me pseudonimin “LIPI”. Nga shkrimet e tij mund të përmendim tregimet e gjata “Pellazge, Vllaznim-Qytetnim” (1923), poemën “Ndreka” (1925), dramat “Moisi Golemi” (1928), “Bardhushi” (1930), “Fatbardhi” (1934). Tregimin e gjatë “Proka” (1936), si dhe përmbledhjen poetike “Elbasani” (1938) i influencuar aty-këtu edhe nga stili i poetit të madh rumun Eminescu. Tregimi “Proka” është nga më të arrirët dhe është ekranizuar nga “Kosova Film” dhe ka fituar çmimin në Festivalin e Kanës. Shkroi dhe tregime të shkurtra, veçanërisht atë me titull “Kukudhi i Kavajës”, që u botua në vitin 1923 në gazetën “Shkumbini” e që më vonë zuri vend në antologjitë e leximeve letrare të shkollave 7-vjeçare. Ky tregim u ribotua më vonë në “Antologjinë e Tregimit Shqiptar 1884-1939” (1986). Kishte miqësi me Lasgush Poradecin, me të cilin bashkëpunoi deri në fund të jetës së tij. Miqësi të veçantë kishte me Lef Nosin, shok fëminije, të cilit shpesh i kërkonte mendim apo i kërkonte ndihmë si në rastin e letrës që i kërkonte për Lasgush Poradecin. Ishte Lef Nosi që ndërhyri pranë komandaturës gjermane dhe ja shpëtoi të birin, që ndodhej, i kapur rob dhe i dënuar me pushkatim në burgun e Selanikut.
*Ish-prefekt i Elbasanit

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: