Qetësia e 1 janarit, u prish nga lajmi i bujshëm i 500 mijë vaksinave, që Kryeministri kishte regjistruar më parë, për ta shpallur në ditën e parë të vitit. Ka për ne dhe për Kosovën. “Shoppingu në New York rezultoi i suksesshëm”,-përqeshi ai me ironi kritikët që e kapën gafil teksa bënte xhiro në dyqanet e shtrenjta të Times Square.

Pastaj heshtje. Videoja e regjistruar disa ditë më parë, nuk u shoqërua me përgjigjen për kryetarin e opozitës. As në Twitter. I ikur me pushime, nuk ka parë as lajmet. Hodhi një tymuese propagande për të shokuar njerëzit gjatë festës; të mbështjellë me kujdes si gazi lotsjellës që u hedh protestave, për të fjetur i qetë dhe vetë iku.

Pati edhe nga ata që u dehën nga tymuesja, si protestuesit të pamësuar me gazin lotjellës.

Pasi tymi ikën, mbetet në ajër zhgënjimi. Asgjë nuk është më mirë, përkundrazi, më keq se sa përpara gënjeshtrës, ndotja e atmosferës së festave është shtuar. Nga ai që duhet të bënte të kundërtën.

Nuk ka asnjë arsye partiake për ta refuzuar një lajm të mirë, që lidhet me jetën tonë.

Ardhja e vaksinës është një lajm i jashtëzakonshëm edhe për militantin më ekstrem të opozitës, dhënia e meritës për atë që e sjell është e pashmangshme. Por më parë duhet të vijë vaksina, të jetë në dispozicion të publikut dhe të krijojë mundësinë që t’i rikthehemi normalitetit.

Brenda tymueses propagandistike, me qëllim ishin fshehur këto informacione bazike.

Vaksina do të vijë në javën e tretë të janarit, por me 10 mijë doza, që mjaftojnë për 5 mijë qytetarë, domethënë vetëm personeli mjekësor dhe spitalor. Në shkurt do të vijnë 30 mijë doza, të mjaftueshme për 15 mijë qytetarë, ose 0.6 për qind të popullsisë.

Në mars nuk dihet sa do të vijnë, por nëse marrim progresionin në rritje me 3 herë, do të kemi 90 mijë doza për 45 mijë vetë ose 1.8 për qind, në prill 270 mijë për 135 mijë, ose 5.4 për qind etj. Edhe sikur të vijnë brenda majit 500 mijë dozat, për 250 mijë banorë, do të kemi arritur në 10 për qind të popullsisë rezidente.

Kaq nuk mjaftojnë për t’ju rikthyer normalitetit, nuk mjaftojnë për të hequr kufizimet e orareve dhe lëvizjes, nuk mjaftojnë për të ringritur ekonominë. Nuk është vetëm faj i Ramës sigurisht.

Të gjithë vendet, madje edhe më të pasurat, po vuajnë pamjaftueshmërinë e vaksinës, jo vetëm sot, por në perspektivën e 2021.

Ndryshe nga ne, ata nuk kanë kryeministër që të bëjë udhëtime private me takime nëpër muzetë e New Yorkut, pa protokoll, pa axhendë, pa staf, që ta zgjidhë problemin. Vendet e tyre, kanë një qeveri që studion mundësitë e daljes së vaksinës dhe pastaj mundësinë ekonomike të vendit për ta prenotuar.

E kanë bërë këtë 4 muaj më parë, me të gjitha kompanitë. E ka bërë edhe Serbia, jo vetëm vendet e pasura.

Qeveria e Ramës e bëri e fundit në rajon pagesën edhe për vaksinën më të lirë, që do të garantohet nga COVAX. Kryeministri rreshton mjekët përpara fundit të vitit për të propaganduar ardhjen e vaksinës, ndërsa që homologët e tij, në rajon dhe në botë, ndihen në faj që nuk mund të gjejnë më shumë doza në kohë më të shpejtë.

Ndërsa Vuçiç në Serbi, megjithëse e menaxhoi shumë më mirë pandeminë se miku i tij në Shqipëri, megjithëse ka filluar vaksinimin e personelit mjekësor, 1 muaj përpara se sa parashikohet këtu, megjithëse ka prenotuar që në gusht vaksinën e Pfizer dhe pretendon të fusë 4 vaksina brenda janarit, nuk e shpalli këtë si fitore.

Asnjë drejtues eksekutivi, sado autokrat, në Ballkan apo më tej, nuk e personalizoi menaxhimin e pandemisë, nuk e privatizoi përpjekjen, nuk e shndërroi në pazar rrugëve, avenuve apo muzeve të botës, nuk priti mëshirën e BE dhe pastaj të fajësonte ata që nuk i dhanë gjë, nuk krenohet me aftësinë për të lypur, por me aftësinë për të menaxhuar, për ta ngritur në nivel sa më shkencor dhe institucional qasjen ndaj emergjencës, për të shfrytëzuar të gjithë faktorët dhe aktorët në vend dhe jashtë në shërbim të zgjidhjes së një krize kombëtare.

Ne jemi i vetmi vend që kemi mbetur në dorë të pazareve të një njeriu që e konsideron veten lypësin më të mirë në vend. Duhet një qeveri./Dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb