VLORE– Një makinë e djegur është gjendur tek “Ura e Mifolit” në Vlorë. Mjeti dyshohet se i përket autorëve të atentatit të mbrëmshëm në qytetin e Vlorës.

Rreth orës 23:00, në rrethrrotullimin e Skelës, 39-vjeçarit Elidon Mehmeti i është bërë atentat me 15 plumba kallashnikovi.

Persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të mjetit që i ishte zënë pritë, tip “Ford”, me targa AA 709 HM. Si i pasojë mbeti i vrarë drejtuesi i mjetit Elidon Mehmeti, i cili sipas policisë ka qenë edhe shënjestra e këtij atentati.

Dyshohet se Mehmeti është ndjekur nga autori dhe është qëlluar në një moment kur makina, për shkak edhe të punimeve që po bëhen në zonë, ka qenë në limitet e shpejtësisë.

Pasi ka ikur për rreth 50 metra me makinën ndezur, mjeti është ndalur dhe 39­-vjeçari ka tentuar të dalë për të kërkuar ndihmë.

Breshëria ka terrorizuar banorët e paktë që janë gjendur afër vendit të ngjarjes në ato momente.
Kalimtarët janë afruar për ta ndihmuar ndërsa autoambulanca, e cila ka mbërritur në një kohë të shpejtë, e ka shoqëruar në spital.

Dyshohet se shkak për vrasjen e Elidon Mehmetit është bërë e shkuara e tij.

Sakaq, policia vijon punën për ngjarjen, dhe do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do tregojnë nëse makina e gjetur e djegur në Urën e Mifolit ka lidhje me atentati e mbrëmshëm në Vlorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb