TIRANË

Në procesin ndaj Ilir Selmanit dhe Elvis Gacaj në gjykatën e Posacme u shfaqën pamjet filmike të momentit të vrasjes së Santiago Malkos, ish-punonjës policie që njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinaj, mbretit të bixhozit që është zhdukur pa gjurmë prej muajsh.

Në seancën gjyqësore ndaj dy të pandehurve u panë pamjet e filmuara nga disa kamera sigurie ku tregohen lëvizjet e viktimës dhe të autorëve të dyshuar, dhe se si ndiqet Malko derisa ekzekutohet në rrugën “Xhanfize Keko”.

Pamja që lidhet direkt me ngjarjen, është ajo e kamerës së sigurisë së një lavazhi në rrugën “Xhanfize Keko” ku makina e autorëve të dyshuar ndalon te dera e këtij biznesi. Automjeti qëndron në pritje pak sekonda dhe kur makina e drejtuar nga Malko është paralel me të, autorët e qëllojnë me breshëri kallashnikovi. Referuar pamjeve filmike rezulton se ekzekutorët e qëllojnë nga brenda makinës dhe largohen me shpejtësi. Ndërsa makina e viktimës, ecën për disa metra për inerci dhe përplaset me disa kazanë plehrash.

Gjatë kohës së procesit që pa kamerat e sigurisë ishte dhe nëna e Santiago Malkos, e cila gjatë shfaqjes së momentit të vrasjes së të birit shpërtheu në lot.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Santjago Malko u qëllua për vdekje mbrëmjen e 28 gusht 2019 dhe për ekzekutimin e tij akuzohen nga SPAK si organizatorë vëllezërit Leonard e Erlis Duka, të cilët kishin përplasje me Ervis Martinaj dhe kur dështuan të vrisnin atë vendosën të ekzekutonin Malkon, që e konsideronin si njeriun e tij të afërt. Ndërsa si ekzekutor, SPAK akuzon Fatmir Hysenin nga Vlora, i njohur si me nofkën “Doxha”. Këta të pandehur janë duke u gjykuar në një proces të ndarë, për shkak se të gjithë janë në arrati. Ndërsa më herët për të njëjtin krim është dënuar Blendi Teta, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit në ngjarje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb