Jetojnë në Tiranë, por kanë lindur në qytetin e Korçës dhe nuk e harrojnë kurrë këtë. Ndihen shumë korçarë, e adhurojnë qytetin e tyre të lindjes dhe e duan po aq shumë, sa atëherë kur luanin dhe përshkonin kalldrëmet e tij. Janë bërë bashkë dhjetëra korçarë, në një mbrëmje nostalgjie për Korçën. (foto: Roland Tasho)

Të njohur apo të panjohur, kanë kaluar orë të tëra mes bisedash, kujtimeve, mbushur me dashuri, qytetari, kulturë e natyrisht me serenatat e bukura. Një organizim i veçantë nga vetë korçarët, mblodhi mbrëmë dhjetëra prej tyre, nga ata që prej vitesh jetojnë e punojnë në Tiranë, për t’u ritakuar, për të ndarë së bashku kujtimet, problemet, arritjet dhe gëzimet e tyre. Janë të gjithë shumë të emocionuar dhe të kënaqur. Kanë sjellë me vete nga pak Korçë…

Të gjithë nxitojnë të sigurojnë se nuk është lokalizëm, por një ngjarje e bukur, që i bën të ndihen si në shtëpi. Krenohen me të qenit korçar, që thonë se është një vlerë më shumë për shqiptarinë.

Korçar është edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, që mendon se ky takim duhet kthyer në traditë që duhet të marrë përmasa të reja.
Thonë se kur bëhen bashkë 2 korçarë dhe një kitarë, lind një serenatë. Dhe nëse bëhen bashkë shumë korçarë, dinë t’i këndojnë në një zë Korçës dhe dashurisë, por edhe Tiranës ku jetojnë e Shqipërisë…
Dhe në fund, një foto kujtimi nga fotografi korçar Roland Tasho, e cila do të shkrepet çdo vit për të dëshmuar se nëse ka arsye për t’u krenuar se je shqiptar, po aq arsye ka për t’u krenuar nëse je korçar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: