TIRANË

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla i ka uruar mirëseardhjen Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, i cili mbajti një fjalim në seancën e sotme plenare që është seanca e parë e sesionit të ri 2022.

Nikolla e cilësoi Erdogan një mik në ditë të mira, por edhe një mik i vyer në ditë të vështira. Ajo deklaroi se solidarizimi e mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe të pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis popujve tanë. Sipas Nikollës, Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin, sigurinë, fqinjësinë e mirë, paqen, stabilitetin në rajon, kontinent e më gjerë

Ajo theksoi se ‘Deklarata e Përbashkët Politike’ i ngriti marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik dhe hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona.

“Kam kënaqësinë t’i uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë Shkëlqesisë së Tij, Zotit Rexhep Taip Erdogan, President i Republikës së Turqisë.
Presidenti Erdogan është një mik i nderuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Një mik në ditë të mira, por edhe një mik i vyer në ditë të vështira.
Presidenti Erdogan, para se të vinte në këtë sallë, ishte sot mes banorëve të Kurbinit, në qytetin e Laçit, për të inauguruar dhe dorëzuar familjeve të dëmtuara nga tërmeti 522 apartamentet e ndërtuara me financime të Qeverisë së Turqisë, një bllok i ri banimi, një xhevahir urban, i ndërtuar me financime të Qeverisë së Turqisë.
Ky kontribut i çmuar nuk është i vetmi. Spitali rajonal i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, dhe që ka nisur prej muajsh t’u shërbejë qytetarëve të Fierit e më gjerë, është një tjetër dhuratë e Turqisë mike dhe e Presidentit mik Erdogan.
Solidarizimi e mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe të pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis popujve tanë.
Por marrëdhëniet tona nuk janë thjesht vëllazërore, solidare e njerëzore. Të dy vendet tona nuk i lidh vetëm humanizmi dhe përballimi bashkarisht i vështirësive.
Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin, sigurinë, fqinjësinë e mirë, paqen, stabilitetin në rajon, kontinent e më gjerë.
‘Deklarata e Përbashkët Politike’ i ngriti marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik dhe hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona.
Në këto zhvillime është, padyshim, kontributi politik dhe personal i Presidentit Erdogan, për të cilën gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit të Shqipërisë.
Shprehje e këtyre marrëdhënieve dhe e këtij bashkëpunimi ishte edhe vizita e delegacionit të Kuvendit në Ankara, në fund të dhjetorit, gjatë së cilës zhvilluam takime të rëndësishme me Presidentin Erdogan, Kryetarin e Asamblesë së madhe Kombëtare Sentop dhe Ministrin e Jashtëm Cavusoglu dakordësuam të intensifikojmë e zgjerojmë bashkëpunimin parlamentar midis Shqipërisë dhe Turqisë”, deklaroi Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb