TIRANE– Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj deputetit socialist Alfred Peza në lidhje me pasurinë e tij. Deputeti i PS, Peza pritet të merret në pyetje nga dy prokurorë të caktuar me çështjen në ngarkim të tij.

Në prokurori është paraqitur dhe ish- bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli, si dhe kreu i ILDKP, Shkelqim Ganaj. Toli ka dhënë informacion për pasurinë e deputetit, marrëdhëniet e tyre financiare dhe konfliktin që kanë pasur për pensionin ushqimor të djalit, pas divorcit. Ajo gjithashtu është treguar e gatshme në bashkëpunojë më tej me organin e akuzës.

Mësohet se Shkelqim Ganaj ka kërkuar takim me Prokurorin e Përgjithshëm për rezultatet e hetimit administrativ. Peza vendoset në hetim nën dyshimet për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh.

Pasi u raportua në media se bashkëshortja e deputetit të Partisë Socialiste, ka blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë me vlerë 1 miliard lekë, Alfred Peza ka thënë se ato janë para nga kursimet prej disa vitesh.

“Bashkëshortja ime ka qene dhe është subjekt i kontrollit dhe deklarimit te pasurisë prej 15 vjetësh, qe nga viti 2002. Ndërsa unë, nga viti 2013 e ne vijim. Për rrjedhoje, te gjitha veprimet tona financiare dhe pasurore kane qene dhe janë te kontrolluara nga ILDKP. Deri me sot, as ajo dhe as unë, nuk kemi menaxhuar asnjëherë, asnjë lek nga fondet dhe pasuritë publike.

Deri ne marsin e vitit 2015, kemi preferuar qe kursimet tona, ti depozitonim ne bankat e nivelit te dyte ne Shqipëri. Derisa vendosem qe këto para, ti investonim ne forme aksionesh bankare. Një transaksion ky sa ligjor, i kontrolluar dhe transparent, si nje e drejte e çdo qytetari te kësaj Republike. Te gjitha këto veprime, janë te deklaruara dhe depozituara pranë ILDKP brenda te gjitha afateve ligjore.

Te gjitha veprimet tona bankare, janë te pasqyruara ne ketë dokument te bankës, qe mban datën 20 janar 2015 plot dy muaj përpara realizimit te kontrate shitje-blerje te aksioneve. Për këdo qe është i interesuar, mund ti drejtohet ILDKP dhe te mare gjithë informacionin qe dëshiron”- ka thënë Peza.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: